NISIN AKTIVITETET PËR PËRFSHIRJEN E XHAMISË SË LARMË NË LISTËN TENTATIVE TË UNESCO-S
Me iniciativë të Qendrës Kombëtare të Konservimit dhe Bashkësisë Fetare Islame – Myftinia e Tetovës, si dhe me mendim pozitiv nga Këshilli Kombëtar për Trashëgimi Kulturore, ka filluar përgatitja për përfshirjen e Kompleksit Fetar të Xhamisë së Larmë në Tetovë në Listën Tentative të UNESCO-s, si fazë e parë drejt hartimit të dosjes së nominimit për përfshirje në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Për këtë qëllim, me vendim të ministrit të Kulturës dhe Turizmit, z. Sedat Sulejmani, është formuar një Grup Pune me përbërjen si vijon: mr. Zoran Pavlov, historian i artit, konservues i lartë dhe ekspert për trashëgiminë kulturore osmane në Maqedoni, në cilësinë e koordinatorit; mr. Cvetanka Haxhi Pecova, inxhiniere e diplomuar e arkitekturës – këshilltare për konservim; mr. Afet Jashari, këshilltar shtetëror për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore pranë Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit; dr. Mahmud Emini, përfaqësues i Myftinisë së Tetovës; si dhe mr. Luiza Nevzati, inxhiniere e diplomuar e arkitekturës – konservuese e lartë, dhe mr. Zarije Amdiu Rexhep, këshilltare për konservim për pikturën murale pranë Qendrës Kombëtare të Konservimit.
Në përputhje me Konventën për Mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore Kulturore dhe Natyrore dhe Udhëzuesin Operacional për zbatimin e saj, Grupi i Punës ka nisur me përkushtim realizimin e të gjitha fazave të nevojshme, me qëllim hartimin e dokumentacionit përkatës për përgatitjen e nominimit, në mënyrë që ky kompleks fetar të fitojë statusin që e meriton për vlerat e tij të jashtëzakonshme arkitekturore dhe artistike.
Xhamia e Larme në Tetovë është një nga objektet fetare më përfaqësuese të arkitekturës islame, të ndërtuara gjatë shekullit XIX në territorin e Maqedonisë. Krahas pasurisë së ornamentikës gjeometrike dhe floreale shumëngjyrëshe, vëmendje të veçantë tërheq edhe prania e motiveve të peizazhit, të realizuara me pikturë me koloritet të theksuar. Ky përbën një shembull të rrallë dhe dëshmon për ndikimet perëndimore në shprehjen artistike, të cilat depërtuan thellë në territorin e Perandorisë Osmane. Piktura e Xhamisë së Larmë paraqet një shembull karakteristik të ndërthurjes së ndikimeve baroke dhe rokoko të artit evropian me estetikën tradicionale osmane.
Kompleksi fetar plotësohet nga tyrbja e tipit të hapur, e vendosur në afërsi të drejtpërdrejtë të xhamisë, e ndërtuar jo më vonë se gjysma e parë e shekullit XVI, gjë që dëshmon për vazhdimësinë e ekzistencës së këtij kompleksi përgjatë një periudhe të gjatë kohore.
Përgatiti: mr. Zoran Pavlov, konservues i lartë për trashëgiminë kulturore osmane
Fotografia: Ljupço Tanurovski, dokumentues





