MBROJTJA E TRASHËGIMISË KULTURORE NË FOKUS: VIZITË PUNE E MINISTRIT SEDAT SULEJMANI NË QENDRËN KOMBËTARE TË KONSERVIMIT
Më 9 shtator 2026, ministri i Kulturës dhe Turizmit, z. Sedat Sulejmani, zhvilloi një vizitë pune në Qendrën Kombëtare të Konservimit – Shkup, ku u takua me drejtorin, mr. Aleksandar Jordanoski.
Në takim morën pjesë dr. Jehona Spahiu Jançevska, historiane arti – këshilltare e konservimit dhe drejtuese e Sektorit për Hulumtim dhe Projektim Konservues të Trashëgimisë Kulturore të Paluajtshme, si dhe mr. Vlado Mukovski, piktor – këshilltar I konservimit dhe drejtues i Sektorit për Konservim dhe Restaurim.
Në kuadër të vizitës, drejtori mr. Aleksandar Jordanoski prezantoi veprimtarinë specifike të Qendrës Kombëtare të Konservimit, strukturën e saj organizative, sektorët dhe njësitë, si dhe hapësirat e punës, me theks të veçantë në atelietë e specializuara për pikturë murale dhe mozaik, për ikona, për plastikë druri dhe guri, si dhe për pikturë në kavalet. Gjithashtu, u prezantuan Qendra Informative-Dokumentuese (INDOK), Laboratori Fiziko-Kimik dhe biblioteka.
Gjatë takimit, drejtori e njohu ministrin edhe me veprimtarinë e institucionit, projektet në zhvillim dhe aktivitetet profesionale që realizohen në fushën e hulumtimit, dokumentimit, projektimit konservues, konservimit dhe restaurimit të trashëgimisë kulturore të paluajtshme.
Vëmendje e veçantë iu kushtua zbatimit të Programit Vjetor për realizimin e interesit kombëtar në kulturë për vitin 2026, si dhe planifikimit dhe përcaktimit të prioriteteve për programet vjetore të vitit të ardhshëm dhe viteve në vijim, me qëllim sigurimin e financimit të vazhdueshëm dhe sistematik dhe realizimin e projekteve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Gjatë bisedës u diskutuan edhe çështjet që lidhen me nevojën për forcimin e stafit profesional dhe avancimin e mëtejshëm të kapaciteteve njerëzore të Qendrës Kombëtare të Konservimit. U theksua se sigurimi i një stafi të përshtatshëm dhe të profilizuar profesionalisht është i një rëndësie të veçantë për realizimin me sukses të ndërhyrjeve komplekse konservuese-restauruese, si dhe për ruajtjen e njohurive institucionale dhe vazhdimësinë e punës profesionale.
Njëkohësisht, drejtori Jordanoski e njohu ministrin Sulejmani me rezultatet e deritanishme të institucionit, organizimin e punës profesionale dhe nevojat për përmirësimin e kushteve për realizimin e projekteve. Gjithashtu, u diskutua për mundësitë e përmirësimit të kushteve teknike dhe materiale të punës, të cilat janë të domosdoshme për zbatimin modern dhe efikas të aktiviteteve konservuese-restauruese.
Vizita e punës përbënte një mundësi për shkëmbim të drejtpërdrejtë të informacionit mbi gjendjen dhe nevojat në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore të paluajtshme, me theks të veçantë në krijimin e kushteve për punë të vazhdueshme profesionale, realizimin e projekteve të planifikuara, sigurimin e financimit të vazhdueshëm dhe mbështetjes nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, si dhe forcimin e kapaciteteve të Qendrës Kombëtare të Konservimit si institucion kombëtar amë në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore të paluajtshme.
Përgatiti:
dr. Jehona Spahiu Jançevska, historiane arti – këshilltare e konservimit për trashëgiminë artistike të periudhës bizantine dhe pasbizantine (shek. IX–XVIII) dhe drejtuese e Sektorit për Hulumtim dhe Projektim Konservues të Trashëgimisë Kulturore të Paluajtshme
Fotografitë:
Viktor Irvin Ivanov, fotograf





