ËSHTË PUBLIKUAR PUNIMI „KULTURA NË DOKUMENTET E KARAKTERIT STRATEGJIK“ NGA MR. ALEKSANDAR JORDANOSKI

Është publikuar Përmbledhja e punimeve të Konferencës së Nëntë Ndërkombëtare Shkencore „Sfidat në turizëm dhe logjistikën e biznesit në shekullin XXI“ (Shtip, 2026), botim i Fakultetit të Turizmit dhe Logjistikës së Biznesit pranë Universitetit „Goce Dellçev“ – Shtip, nën redaktimin e dr. Natasha Mitevës, dekane e Fakultetit. Në përmbledhje janë përfshirë punime shkencore dhe profesionale kushtuar çështjeve aktuale në fushën e turizmit, biznesit, ekonomisë, kulturës dhe fushave të ndërlidhura.

Në përmbledhje është publikuar punimi „Kultura në dokumentet e karakterit strategjik“ nga ma. Aleksandar Jordanoski, drejtor i Qendrës Kombëtare të Konservimit – Shkup.

Punimi paraqet një analizë të përmbajtjes së Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Kulturës 2026–2030, si dokument strategjik që ofron një analizë gjithëpërfshirëse të gjendjes në fushën e kulturës në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Përmes një qasjeje kritike dhe analitike trajtohen organizimi institucional dhe funksionaliteti i sistemit kulturor, modelet e financimit, racionalizimi i institucioneve dhe procesi i decentralizimit.

Vëmendje e veçantë i kushtohet mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, mbrojtjes së integruar, digjitalizimit, mungesës së kuadrit profesional dhe nevojës për tejkalimin e problemeve shumëvjeçare që lidhen me dokumentacionin. Në punim shqyrtohen gjithashtu mundësitë për aktivizimin ekonomik të trashëgimisë kulturore përmes turizmit, koncesioneve, partneriteteve publiko-private dhe industrive kulturore dhe kreative, si dhe çështjet që lidhen me politikën tatimore, investimet, kuadrin ligjor dhe rolin e gjuhës maqedonase si pjesë e vazhdimësisë kulturore dhe identitare të shtetit.

Në një pjesë të veçantë trajtohet edhe gjendja e objekteve të trashëgimisë kulturore, të cilat prej vitesh mbeten pa mbrojtjen e duhur. Vëzhgimet e kryera nga ekspertët e Qendrës Kombëtare të Konservimit – Shkup gjatë viteve të fundit tregojnë për një degradim të përshpejtuar të një pjese të këtyre objekteve, veçanërisht në zonat rurale, ku mbrojtja e tyre vështirësohet më tej për shkak të dendësisë së ulët të popullsisë. Duke theksuar nevojën për përcaktimin e qartë të gjendjes dhe prioriteteve, punimi vë në dukje edhe rëndësinë e planifikimit sistematik dhe buxhetimit të përshtatshëm të aktiviteteve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Publikimi i punimit në përmbledhjen e punimeve të Konferencës së Nëntë Ndërkombëtare Shkencore përbën një kontribut në hapjen dhe thellimin e diskutimit profesional mbi gjendjen, sfidat dhe mundësitë për zhvillimin e sektorit të kulturës, me theks të veçantë në mbrojtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të trashëgimisë kulturore.

Të dhënat bibliografike:

Jordanoski, A., Kultura në dokumentet e karakterit strategjik, Përmbledhje e punimeve të Konferencës së Nëntë Ndërkombëtare Shkencore „Sfidat në turizëm dhe logjistikën e biznesit në shekullin XXI“, Fakulteti i Turizmit dhe Logjistikës së Biznesit, Universiteti „Goce Dellçev“ – Shtip, Shtip, 2026, f. 258–265.

Përgatiti: dr. Jehona Spahiu Jançevska, historiane arti – këshilltare e konservimit për trashëgiminë artistike të periudhës bizantine dhe pasbizantine (shek. IX–XVIII) dhe drejtuese e Sektorit për Hulumtime dhe Projektim Konservues të Trashëgimisë Kulturore të Paluajtshme.

Fotografitë: dr. Jehona Spahiu Jançevska

006

Image 6 of 7

You may also like...