Afirmimi ndërkombëtar i trashëgimisë kulturore maqedonase në përmbledhjen shkencore „Nishi dhe Bizanti XXIV“
Është botuar përmbledhja ndërkombëtare shkencore „Nishi dhe Bizanti XXIV“ (Nish, 2026), një publikim prej 580 faqesh, kushtuar temës „1700 vjet nga Koncili i Parë Ekumenik në Nike – 325–2025“. Redaktor i botimit është prof. dr. Misha Rakoçija.
Përmbledhja përfshin punimet shkencore të dala nga kumtesat e prezantuara në Simpoziumin Ndërkombëtar Shkencor të Bizantinologëve „Nishi dhe Bizanti XXIV“, i mbajtur nga 3 deri më 5 qershor 2025 në Nish. Publikimi u promovua në kuadër të edicionit jubilar XXV të simpoziumit „Nish dhe Bizanti“, nga dr. Branislav Cvetkoviç.
Në këtë përmbledhje prestigjioze ndërkombëtare është botuar edhe punimi në gjuhën angleze i dr. Jehona Spahiu Jançevska, historiane e artit dhe këshilltare për konservim – specialiste për trashëgiminë artistike të periudhës bizantine dhe pasbizantine (shek. IX–XVIII), në Departamentin e Trashëgimisë Artistike, Sektori për Hulumtim dhe Projektim Konservues të Trashëgimisë Kulturore të Paluajtshme në Qendrën Kombëtare të Konservimit – Shkup.
Punimi i saj mban titullin: “Exploring the Wall Paintings of St. Demetrius Church in Trebino: Artistic Insights and Conservation Concerns”.
Punimi trajton pikturën murale të kishës Shën Dhimitri në Trebinë, Komuna e Makedonski Brodit, në rajonin e Poreçes, e cila, bazuar në mbishkrimin pjesërisht të ruajtur të themelit, datohet saktësisht në vitin 1644. Piktura murale paraqet një realizim modest, por me vlerë të veçantë të artit kishtar pasbizantin dhe lidhet me një grup objektesh sakrale të rajonit të Poreçes që karakterizohen nga tipare të ngjashme stilistike dhe ikonografike.
Në punim analizohen karakteristikat arkitekturore të kishës, programi ikonografik dhe veçoritë stilistike të afreskeve, të cilat, pavarësisht dëmtimeve të konsiderueshme dhe pranisë së kripërave, dëshmojnë për zgjidhjet tipike kompozicionale të kishave më të vogla pasbizantine të gjysmës së parë të shekullit XVII.
Vëmendje e veçantë i kushtohet ngjashmërive stilistike, tematike dhe ikonografike me afresket e kishës Shën Kryeengjëlli Gabriel në Oreovec, të cilat sugjerojnë mundësinë e veprimtarisë së të njëjtit piktor ikonograf ose të së njëjtës punishte në këtë rajon gjatë një periudhe të shkurtër kohore.
Këto gjetje kontribuojnë në një kuptim më të mirë të tendencave artistike rajonale dhe prodhimit të pikturës në shekullin e XVII. Njëkohësisht, punimi thekson rëndësinë dhe domosdoshmërinë e mbrojtjes, konservimit dhe ruajtjes afatgjatë të kësaj pasurie të çmuar kulturore të rajonit të Poreçes.
Përmes pjesëmarrjes së vazhdueshme të kuadrit profesional të Qendrës Kombëtare të Konservimit në konferenca dhe simpoziume shkencore ndërkombëtare, si dhe përmes publikimit të punimeve shkencore dhe profesionale në botime të njohura, institucioni konfirmon rolin e tij të rëndësishëm në studimin, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore. Aktivitetet e tilla kontribuojnë në avancimin e kërkimit shkencor dhe të veprimtarisë konservuese, në shkëmbimin e përvojave profesionale dhe në forcimin e prezencës ndërkombëtare të trashëgimisë kulturore maqedonase në rrjedhat bashkëkohore akademike dhe profesionale.
Përgatiti:
Dr. Jehona Spahiu Jançevska





