Përfundoi trajnimi për konservimin e gurit të fasadës së kishës “Shën Gjergji” në fshatin Nagoriçan të Vjetër
Pas përfundimit të trajnimit dyjavor për konservimin e gurit, i cili u mbajt në kompleksin kishtar “Shën Gjergji” –Nagoriçan i Vjetër, i organizuar nga Institucioni Kombëtar Qendra e Konservimit – Shkup, me mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe i udhëhequr nga eksperti i huaj për konservimin e gurit, z. Simon Varak, u ndanë certifikata për konservuesit/pjesëmarrësit në trajnimin e specializuar për konservimin e gurit të fasadës së kishës “Shën Gjergji” –Nagoriçan i Vjetër.
Nga eksperti i huaj z. Simon Varak u prezantuan në mënyrë praktike metodat dhe mënyra e aplikimit të duhur të materialeve për trajtim konservues in situ për lloje të ndryshme dëmtimesh në blloqet e gurit të fasadës. Në të njëjtën kohë, në këtë fazë, pjesëmarrësit në trajnim patën mundësinë të marrin pjesë aktive në provimin e metodave për konsolidim, aplikimin e llaçeve për mbushjen e boshllëqeve, fugimin, përpunimin e përfundimeve te sipërfaqet e shtresëzuara/të ndara të gurit nga masa bazë, si dhe bashkimin e pjesëve të thyera të gurit.
Sipas programit të përcaktuar më parë për ndërhyrjet prioritare mbrojtëse në gurët e përzgjedhur me shkallë të lartë rrezikimi, u organizuan edhe sesionet ditore të punës për trajtimin konservues të gurit të fasadës së kishës “Shën Gjergji”, në kuadër të të cilave u realizuan aktivitete të ndryshme në këto pozicione:
1) Te elemente specifike prej guri me mbishkrime historike të gdhendura:
- a) te trari prej guri mbi derën hyrëse të kishës me tekst të gdhendur me vlerë historike, u krye trajtimi i çarjes vertikale me konsolidant Nano Estel dhe përpunimi i sipërfaqes së sipërme të gurit si dhe i kontaktit me sipërfaqen vertikale të murit të lunetës, me përzierje nga konsolidanti dhe pluhur guri i imët i marrë nga i njëjti gur.
- b) te guri me mbishkrim të gdhendur në anën jugore të narteksit, për shkak të shkallës së lartë të shtresëzimit/ndarjes së sipërfaqes në pjesën e poshtme, u krye një trajtim shumë i kujdesshëm me procedura të kontrolluara në aspektin e pastrimit, mbushjes së zbrazëtirës së brendshme dhe përpunimit përfundimtar për mbylljen e vijës përgjatë konturit të shtresëzimit të sipërfaqes së gurit.





