PËRFUNDOI KONSERVIMI DHE RESTAURIMI I 20 IKONAVE TË NXJERRA NË MËNYRË TË PALIGJSHME NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË DHE TË KTHYERA NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË SË VERIUT

Qendra Kombëtare e Konservimit – Shkup përfundoi me sukses konservimin dhe restaurimin e njëzet ikonave, të cilat ishin nxjerrë në mënyrë të paligjshme në Republikën e Shqipërisë dhe më pas ishin kthyer në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ikonat kanë prejardhjen nga kishat e rajonit të Strugës (fshatrat Radozhdë dhe Sellcë), rajonit të Manastirit (fshati Gjavato) dhe Komunës së Resnjës (fshati Dollno Perovë).

Bartës i hulumtimeve konservuese, hartimit të projektit konservues dhe realizimit të tij ishte Qendra Kombëtare e Konservimit – Shkup. I gjithë procesi, i cili përfshinte hulumtimet konservuese, hartimin e projektit dhe ndërhyrjet e drejtpërdrejta për mbrojtjen e ikonave, u zhvillua gjatë një periudhe dyvjeçare. Projekti konservues u përfundua në nëntor të vitit 2024, pas së cilës filloi zbatimi i tij në laboratorin e Qendrës Kombëtare të Konservimit – Shkup.

Punimet konservuese-restauruese u realizuan nën drejtimin e mr. Nevenka Veliçkovska, piktore – këshilltare për konservim, së bashku me ekipin profesional, ndërsa historian i artit ishte mr. Darko Nikolovski.

Paralelisht me përfundimin e këtij procesi, kanë filluar aktivitete intensive për kthimin e ikonave të mbetura, të cilat ende ndodhen në Republikën e Shqipërisë. Në këto aktivitete janë përfshirë ekspertët e Qendrës Kombëtare të Konservimit: dr. Jehona Spahiu Jançevska, historiane e artit – këshilltare për konservim; dr. Valentina Poçeska, piktore – këshilltare për konservim; dhe dr. Mishko Tutkovski, historian i artit, këshilltar për dokumentim, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.

Shpresojmë që procesi i kthimit të ikonave të mbetura, e më pas edhe konservimi dhe restaurimi i tyre, të realizohet me sukses, duke ndjekur shembullin e këtij projekti të rëndësishëm.

Me rastin e përfundimit të konservimit dhe restaurimit të njëzet ikonave, TV Alfa realizoi një kronikë televizive kushtuar këtij projekti të rëndësishëm, në të cilën, për proceset e zhvilluara, punën profesionale dhe rëndësinë e aktiviteteve të ndërmarra për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, folën drejtori i Qendrës Kombëtare të Konservimit – Shkup, mr. Aleksandar Jordanovski, dhe udhëheqësja e punimeve konservuese-restauruese, mr. Nevenka Veliçkovska.

Përgatiti: Dr. Jehona Spahiu Jançevska, historiane e artit – këshilltare për konservimin e trashëgiminë artistike të periudhës bizantine dhe pasbizantine (shekujt IX–XVIII) dhe udhëheqëse e Sektorit për Hulumtim dhe Projektim Konservues të Trashëgimisë Kulturore të Paluajtshme.

Shikoni kronikën në:

https://www.youtube.com/watch?v=rVQTtDfEnGw

2a

Image 2 of 12

You may also like...