Pjesëmarrja e IN Qendrës Kombëtare të Konservimit – Shkup në konferencën ndërkombëtare SEE Mosaic Meeting VII në Lubjanë

Në periudhën nga 13 deri më 16 tetor 2026, në Lubjanë, Slloveni, u mbajt takimi i shtatë i rrjetit ndërkombëtar të ekspertëve për konservimin e mozaikëve – SEE Mosaic Meeting VII, kushtuar temës “Rishqyrtimi i mbrojtjes së trashëgimisë së mozaikëve përballë sfidave klimatike – konservimi, ruajtja dhe restaurimi” (Reconsidering Protection of Mosaic Heritage in the Face of Climate Challenges – Conservation, Preservation and Restoration).

Në konferencë, ku morën pjesë 66 ekspertë nga 14 vende, dr. Mishko Tutkovski, nga IN Qendra Kombëtare e Konservimit – Shkup, mbajti një prezantim me temë “Teknika specifike dhe teknologjitë 3D të zbatuara në restaurimin fizik të dekorimit me opus sectile të shekullit VI pas Krishtit, në një pllakë tavoline prej druri, nga Stobi” (Specific Techniques and 3D Technologies Applied in the Physical Restoration of a 6th-Century AD Opus Sectile Decoration on a Wooden Tabletop from Stobi).

Prezantimi përfshiu veprimtaritë e deritanishme të Qendrës Kombëtare të Konservimit, të lidhura me hulumtimin, dokumentimin, konservimin dhe restaurimin e mozaikut të jashtëzakonshëm të realizuar me teknikën opus sectile, të zbuluar në Rezidencën Ipeshkvnore në lokalitetin arkeologjik të Stobit dhe të datuar në shekullin VI.

Përveç prezantimeve profesionale, sesioneve me postera dhe videoprezantimeve, si dhe tryezës së rrumbullakët, programi përfshiu vizita në sektorët e ndryshëm të Institutit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore të Sllovenisë, si dhe vizita studimore në monumente dhe pasuri të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, lokalitete arkeologjike dhe muze në Lubjanë dhe Celje. Këto veprimtari mundësuan shkëmbimin e përvojave profesionale dhe njohjen me qasje të ndryshme në hulumtimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Takimi u organizua nga Instituti për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore të Sllovenisë dhe Muzeu Kombëtar i Serbisë, në kuadër të projektit rajonal SEE Mosaic: Zhvillimi i një rrjeti të profesionistëve të konservimit të mozaikëve dhe promovimi i trashëgimisë së mozaikëve në Evropën Juglindore (SEE Mosaic: Developing a Network of Mosaic Conservation Professionals and Promoting Mosaic Heritage in Southeast Europe), me mbështetjen financiare të Iniciativës së Evropës Qendrore (CEI).

Pjesëmarrja e IN Qendrës Kombëtare të Konservimit – Shkup përbënte një mundësi për prezantimin ndërkombëtar të punës profesionale të institucionit, si dhe për forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të njohurive në fushën e mbrojtjes dhe prezantimit të trashëgimisë kulturore.

Përgatiti: Dr. Mishko Tutkovski, këshilltar për dokumentim.

NZ_-

Image 1 of 11

You may also like...