PJESËMARRJE NË KONFERENCËN SHKENCORE NDËRKOMBËTARE NË NOVA ZAGORA

Më 12 dhe 13 tetor 2026, në Nova Zagora, në Republikën e Bullgarisë, u mbajt konferenca shkencore ndërkombëtare “100 vjet Muzeu Historik – Nova Zagora: Perla e Trakisë”, me rastin e shënimit të 100-vjetorit të themelimit të Muzeut Historik – Nova Zagora. Konferenca u organizua nga drejtori i institucionit, mr. Genço Dimitrov.

Në konferencë morën pjesë drejtori i Qendrës Kombëtare të Konservimit – Shkup, mr. Aleksandar Jordanoski, dhe Dr. Jehona Spahiu Jançevska, historiane e artit dhe këshilltare për konservim, specialiste për trashëgiminë artistike të periudhës bizantine dhe pasbizantine (shekujt IX–XVIII), pranë Departamentit të Trashëgimisë Artistike, si dhe drejtuese e Sektorit për Hulumtim dhe Projektim të Konservimit të Trashëgimisë Kulturore të Paluajtshme.

Mr. Aleksandar Jordanoski e prezantoi institucionin përmes kumtesës “Roli historik i Qendrës Kombëtare të Konservimit në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Maqedoni”, në të cilën trajtoi veprimtarinë shumëvjeçare të qendrës, zhvillimin e saj dhe rëndësinë që ka në sistemin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Qendra Kombëtare e Konservimit, si institucion profesional referues në nivel kombëtar, e filloi veprimtarinë e saj në vitin 1949, duke ndërtuar një traditë shumëdekadëshe në hulumtimin, dokumentimin, konservimin dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore të paluajtshme.

Dr. Jehona Spahiu Jançevska mori pjesë me kumtesën shkencore me titull “Gaia, Thalassa dhe Anemoi: Paraqitja e personifikimeve në kompozimet e Gjykimit të Fundit”, kushtuar paraqitjes së personifikimeve të Tokës, Detit dhe Erërave në kompozimin e Gjykimit të Fundit. Hulumtimi shqyrton format e ndryshme pamore të këtyre personifikimeve dhe transformimin e tyre në kontekstin eskatologjik të krishterë, duke ndërlidhur tekstet biblike, manualet e pikturimit dhe traditat më të hershme pamore.
Vëmendje e veçantë iu kushtua shembujve nga Maqedonia, ndër të cilët Shën Mëria Perivlepta dhe Shën Mëria Bolniçka në Ohër, Shën Dhimitri në Veles, Goren Manastirec, Manastiri i Sllivnicës, Manastiri i Kuçevishtës, Shën Gjergji në Lazaropolë dhe në Banjan, Kostincë, si dhe monumente të tjera. Përmes këtyre shembujve ndiqen mënyrat e ndryshme të paraqitjes së personifikimeve.
Në konferencë u prezantuan punime shkencore dhe profesionale nga fushat e arkeologjisë, historisë, historisë së artit, muzeologjisë, konservimit dhe restaurimit, si dhe kërkime ndërdisiplinore. Krahas pjesëmarrësve nga Republika e Bullgarisë, me kontributet e tyre morën pjesë edhe përfaqësues nga Republika e Maqedonisë së Veriut, Greqia, Irani, Italia, Ukraina dhe vende të tjera, duke i dhënë konferencës karakter të mirëfilltë ndërkombëtar.

Në kuadër të konferencës, në Klubin e Punonjësve të Kulturës u zhvillua edhe promovimi i një monografie me disa autorë, kushtuar hulumtimeve të nekropolit tumular në zonën e Bogoshinës, Prohorovë, me titull: “ПРОХОРОВО МАЙНИНГ– Studime arkeologjike, vëllimi 1: Nekropoli tumular në lokalitetin Bogoshina.”
Gjatë konferencës, pjesëmarrësit patën mundësinë të njiheshin edhe me trashëgiminë e rëndësishme arkeologjike dhe kulturore të Nova Zagorës dhe të rrethinës së saj, veçanërisht me tumën e Karanovës.
Pjesëmarrja e Qendrës Kombëtare të Konservimit në këtë konferencë shkencore ndërkombëtare përbënte një mundësi për prezantimin e veprimtarisë profesionale dhe kërkimore-shkencore të institucionit, si dhe për shkëmbimin e përvojave profesionale dhe shkencore me kolegë nga rajoni dhe më gjerë.

Organizatorëve dhe Muzeut Historik – Nova Zagora u përcjellim urimet tona të sinqerta me rastin e këtij jubileu të rëndësishëm 100-vjeçar, duke u dëshiruar punë të suksesshme edhe në dekadat që vijnë.

Përgatiti: Dr. Jehona Spahiu Jançevska, historiane e artit – këshilltare për konservim për trashëgiminë artistike të periudhës bizantine dhe pasbizantine (shekujt IX–XVIII) dhe drejtuese e Sektorit për Hulumtim dhe Projektim të Konservimit të Trashëgimisë Kulturore të Paluajtshme.
Fotografitë: Dr. Jehona Spahiu Jançevska dhe mr. Aleksandar Jordanoski.

NZ_-023-2

Image 25 of 26

You may also like...