PJESËMARRJA NË SHKOLLËN VERORE TË CIPA HERITAGE DOCUMENTATION – DOKUMENTIMI I TRASHËGIMISË KULTURORE NË BATUMI, GJEORGJI

Në shtator të vitit 2026, në Batumi të Gjeorgjisë, u zhvillua shkolla verore e organizuar nga Komiteti Ndërkombëtar për Fotogrametrinë Arkitekturore (CIPA Heritage Documentation), kushtuar zbatimit të teknologjive bashkëkohore në hulumtimin, dokumentimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

 

Në këtë shkollë mori pjesë mr. Luiza Nevzati, inxhiniere e diplomuar e arkitekturës, konservuese e lartë – arkitekte, specialiste pranë Njësisë për Trashëgimi Arkitekturore, në kuadër të Sektorit për Hulumtim dhe Projektim Konservues të Trashëgimisë Kulturore të Paluajtshme, në Qendrën Kombëtare të Konservimit – Shkup.

 

Shkolla verore ndërthurte ligjëratat teorike me punën praktike në terren, duke përfshirë zbatimin e metodave dhe teknikave të ndryshme për dokumentimin fotogrametrik të trashëgimisë kulturore.

 

Puna praktike u zhvillua në objektin e njohur si “Shtëpia e Arkitektëve” (The Architects’ House) në Batumi dhe përfshiu katër qasje të ndryshme për krijimin e dokumentacionit digjital: fotogrametrinë me kosto të ulët, duke përdorur aplikacione për pajisje mobile; fotogrametrinë me aparat fotografik profesional, përmes fotografimit nga distanca të paracaktuara dhe të llogaritura paraprakisht; skanimin laserik tokësor; si dhe fotogrametrinë me mjete ajrore pa pilot (dronë).

 

Në kuadër të një ekipi ndërkombëtar, mr. Luiza Nevzati kontribuoi në dokumentimin e objektit, duke u përqendruar veçanërisht në krahasimin e rezultateve dhe të saktësisë së ortofotografive të përftuara përmes dy qasjeve të ndryshme.

 

Pjesëmarrja në këtë shkollë mundësoi avancimin profesional, shkëmbimin e njohurive dhe përvojave me pjesëmarrësit dhe ligjëruesit, si dhe krijimin e kontakteve profesionale. Njohuritë e fituara përbëjnë një bazë të rëndësishme për zbatimin e mëtejshëm të tyre në veprimtarinë profesionale në fushën e dokumentimit të trashëgimisë kulturore arkitekturore.

 

Përgatiti: mr. Luiza Nevzati, inxhiniere e diplomuar e arkitekturës, konservuese e lartë – arkitekte.

CIPA-5

Image 7 of 31

You may also like...