MBROJTJA E ARTIT SAKRAL: KONSERVIMI DHE RESTAURIMI I KRYQEVE PROCESIONALE TË MANASTIRIT TË BIGORSKIT
Është botuar përmbledhja shkencore ndërkombëtare Monumentet 64/2025. Materialet e Konferencës Ndërkombëtare Shkencore I (Tiranë, 2026), në të cilën janë përfshirë studimet dhe rezultatet e prezantuara në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore “60 years of study & conservation ARCHAEOLOGY – ARCHITECTURE – ART”, organizuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore në Tiranë dhe e mbajtur më 21 dhe 22 tetor 2025 në Tiranë, Republika e Shqipërisë.
Në këtë përmbledhje është botuar punimi Safeguarding Sacred Art: Conservation and Restoration of the Processional Crosses from Bigorski Monastery (Mbrojtja e artit sakral: konservimi dhe restaurimi i kryqeve procesionale të Manastirit të Bigorskit), me autore dr. Jehona Spahiu Jançevska, historiane e artit, këshilltare për konservim – eksperte për trashëgiminë artistike të periudhës bizantine dhe pasbizantine (shek. IX–XVIII), pranë Njësisë për Trashëgimi Artistike dhe drejtuese e Sektorit për Hulumtim dhe Projektim Konservues të Trashëgimisë Kulturore të Paluajtshme, si dhe magjistre Nevenka Veliçkovska, piktore, këshilltare për konservim – specialiste për konservimin e ikonave në Atelienë e Ikonave, në kuadër të Sektorit për Konservim dhe Restaurim të Qendrës Kombëtare të Konservimit – Shkup.
Punimi është rezultat i hulumtimeve konservuese dhe i ndërhyrjeve konservuese-restauruese në katër kryqe procesionale nga thesari i pasur mijëvjeçar i Manastirit të Bigorskit, kushtuar Shën Gjon Pagëzorit.
Gjatë vitit 2023, ekipi profesional i Qendrës Kombëtare të Konservimit – Shkup kreu ndërhyrje të drejtpërdrejtë për mbrojtjen e dy prej kryqeve procesionale, të cilat, pas përfundimit të punimeve, u kthyen në Manastirin e Bigorskit. Veprimtaritë konservuese-restauruese për dy kryqet e tjera vijuan në periudhën pasuese, ndërsa me kthimin e tyre në manastir, në korrik të vitit 2026, u përmbyll procesi i konservimit dhe restaurimit të të katër kryqeve procesionale të koleksionit të manastirit.
Katër kryqet procesionale përbëjnë një tërësi të rëndësishme në koleksionin e pasur të Manastirit të Bigorskit. Lidhjet e tyre stilistike dhe kronologjike me vepra të tjera nga thesari i manastirit mundësojnë shqyrtimin e tyre në kontekstin më të gjerë të trashëgimisë artistike dhe kulturore.
Ky punim përbën një tjetër rezultat të punës së vazhdueshme profesionale dhe veprimtarisë kërkimore-shkencore të Qendrës Kombëtare të Konservimit – Shkup, si dhe dëshmon rëndësinë e ndërlidhjes së praktikës konservuese me hulumtimin, dokumentimin dhe interpretimin shkencor. Njëkohësisht, ai kontribuon në shkëmbimin e njohurive dhe përvojave profesionale, si dhe në rritjen e dukshmërisë ndërkombëtare të trashëgimisë kulturore maqedonase.
Të dhënat bibliografike:
Spahiu Janchevska J., Velichkovska N., “Safeguarding Sacred Art: Conservation and Restoration of the Processional Crosses from Bigorski Monastery”, Monumentet 64/2025. Materialet e Konferencës Ndërkombëtare Shkencore I, Tiranë, 2026, f. 182–194.
Përgatiti: Dr. Jehona Spahiu Jançevska, historiane e artit – këshilltare pët konservim për trashëgiminë artistike të periudhës bizantine dhe pasbizantine (shek. IX–XVIII) dhe drejtuese e Sektorit për Hulumtim dhe Projektim Konservues të Trashëgimisë Kulturore të Paluajtshme.





