MEMORANDUM BASHKËPUNIMI MIDIS QENDRËS KOMBËTARE TË KONSERVIMIT DHE FAKULTETIT TË TURIZMIT DHE LOGJISTIKËS SË BIZNESIT
Më 21 shtator 2026, në Shtip, drejtori i Qendrës Kombëtare të Konservimit – Shkup, mr. Aleksandar Jordanoski, dhe dekani i Fakultetit të Turizmit dhe Logjistikës së Biznesit pranë Universitetit “Goce Dellçev” – Shtip, prof. dr. Natasha Miteva, nënshkruan Memorandum për vendosjen e bashkëpunimit të ndërsjellë, me qëllim mbështetjen e projekteve zhvillimore për përmirësimin e arsimit të studentëve, komunitetit lokal, rritjes ekonomike dhe zhvillimit të turizmit në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë prof. dr. Dushica Saneva Popova dhe prof. dr. Zoran Temelkov nga Fakulteti i Turizmit dhe Logjistikës së Biznesit, dr. Jehona Spahiu Jançevska, historiane arti –këshilltare për konservim dhe drejtuese e Sektorit për Kërkime dhe Projektim Konservues të Trashëgimisë Kulturore të Paluajtshme, dhe mr. Vlado Mukovski, piktor – këshilltar për konservim dhe drejtues i Sektorit për Konservim dhe Restaurim nga Qendra Kombëtare e Konservimit.
Me përfshirjen e turizmit si vlerë e shtuar në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, Qendra Kombëtare e Konservimit ndërmerr masa konkrete për përgatitjen funksionale të objekteve që kanë statusin e trashëgimisë kulturore për shfrytëzim turistik. Roli i institucioneve për mbrojtjen e trashëgimisë është të rikthejnë gjendjen autentike të një objekti të caktuar, ndërsa roli i turizmit është që informacionin mbi vlerën e atij objekti ta bëjë të qasshëm për një numër sa më të madh të palëve të interesuara.
Punimet konservuese-restauruese ruajnë kujtesën materiale të së kaluarës sonë, të kulturës sonë dhe të identitetit tonë, por kur ato mbeten të panjohura për publikun, bëhen një zë i heshtur për ekzistencën e tyre. Studentët e këtij fakulteti do të jenë zëri i ardhshëm i punës së palodhur të konservatorëve maqedonas. Pikërisht përmes lidhjes së punës profesionale me arsimin dhe turizmin krijohet mundësia që trashëgimia kulturore të prezantohet, kuptohet dhe të bëhet më e qasshme për publikun.
Turizmi është një sektor që në botë, në disa shtete, prej kohësh është një nga shtyllat kryesore të shoqërisë, ndërsa Maqedonia, si pjesë e kompleksit kulturor mesdhetar, ka potencialin e plotë të vlerave për ta përfshirë atë si një shtytës ekonomik. Në këtë drejtim, bashkëpunimi krijon hapësirë për zhvillimin e aktiviteteve që do të kontribuojnë në rritjen e dukshmërisë dhe afirmimit të trashëgimisë kulturore, si dhe në prezantimin e saj të përshtatshëm si një burim i rëndësishëm për turizmin kulturor dhe zhvillimin lokal e rajonal.
Ndër pikat më të rëndësishme që përmban Memorandumi janë edhe prezantimi dhe transferimi i njohurive nga ana e ekspertëve, hartimi i analizave për një kontribut më të madh në zhvillimin shoqëror dhe përparimin e turizmit, kulturës, arsimit dhe sferës sociale, ndihma në lobim dhe angazhimi në lidhjen me partnerët përkatës që do të ndihmojnë zhvillimin lokal dhe rajonal, praktika për studentët dhe projekte të përbashkëta kërkimore.
Bashkëpunimi ndërmjet Qendrës Kombëtare të Konservimit dhe Fakultetit të Turizmit dhe Logjistikës së Biznesit paraqet një mundësi për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave dhe për krijimin e një lidhjeje më të fortë ndërmjet sferës profesionale dhe asaj arsimore, me synim mbrojtjen, afirmimin dhe prezantimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të trashëgimisë kulturore.
Përgatitur nga: mr. Aleksandar Jordanoski dhe dr. Jehona Spahiu Jançevska
Fakulteti i Turizmit dhe Logjistikës së Biznesit – UGD





