PËRFUNDIMI I AKTIVITETEVE PËRGATITORE PËR RINOVIMIN E GODINËS SË VJETËR TË SHKOLLËS NË PODVIS, RAJONI I KËRÇOVËS

Qendra Kombëtare e Konservimit, në kuadër të Programit Vjetor për realizimin e interesit kombëtar në kulturë të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit për vitin 2026, po realizon projektin “Punime hulumtuese dhe analiza për hartimin e projektit ndërtimor-konstruktiv për rikonstruksionin e objektit – Godina e Vjetër e Shkollës, f. Podvis, Rajoni i Kërçovës – Faza II”.

Ky objekt ka një rëndësi të veçantë historike nga periudha e Luftës Nacionalçlirimtare në Maqedoni, veçanërisht në fushën e arsimit. Konkretisht, në vjeshtën e vitit 1943, kur një pjesë e madhe e territorit të Maqedonisë Perëndimore ishte çliruar nga pushtuesi fashist, në këtë godinë për herë të parë filloi mësimi në gjuhën maqedonase. Vendimin për hapjen e një shkolle me mësim në gjuhën maqedonase e mori Këshilli Nacionalçlirimtar shtatëanëtarësh i fshatit Podvis, më 28.9.1943. Shkolla filloi punën më 30.9.1943, ndërsa si mësues u caktua Vasilko Risteski nga f. Podvis. Në mësim u përfshinë 23, përkatësisht 26 nxënës nga klasa e parë deri në klasën e katërt nga Podvisi, ndërsa ishte paraparë të përfshiheshin edhe nxënës nga fshati Popollzhani, por për shkak të luftimeve të vazhdueshme në këtë zonë, ata nuk arritën të ndjekin mësimin. Veprimtaria e shkollës zgjati për një periudhë të shkurtër, deri më 6.10.1943, për shkak të rifillimit të veprimeve luftarake. Pavarësisht kohëzgjatjes së shkurtër, rëndësia historike e këtij objekti është e madhe, pasi është dëshmuar se pikërisht këtu, për herë të parë në një territor të çliruar, zhvillohej mësimi në gjuhën maqedonase.

Nuk ekziston dokumentacion i shkruar për vitin e saktë të ndërtimit të godinës, por supozohet se ajo është ndërtuar rreth vitit 1930, me angazhimin e plotë të banorëve të fshatrave Podvis dhe Popollzhani dhe me mjete minimale nga shteti. Pas përfundimit të Luftës Nacionalçlirimtare e deri në vitet shtatëdhjetë të shekullit XX, objekti funksionoi si shkolla fillore “Kole Nedellkovski”.

Iniciativa për përcaktimin e Godinës së Vjetër të Shkollës në f. Podvis, Kërçovë, si monument kulture, u ndërmor më 4.10.1978 nga Lidhja Socialiste e Popullit Punonjës të Maqedonisë – Konferenca Komunale e Kërçovës, drejtuar Entit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës – Shkup. Kuvendi i Komunës së Kërçovës, më 16.10.1978, i drejtoi gjithashtu Entit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës një kërkesë zyrtare për shpalljen e objektit Shkollë-Përkujtimore e Luftës Nacionalçlirimtare. Kështu, në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës të vitit 1973, me Vendimin nr. 03-3347, datë 15.12.1978, Godinës së Vjetër të Shkollës në f. Podvis, Këçovë, iu përcaktua statusi i monumentit të kulturës.

Duke filluar nga viti 1997, kur u konstatuan dëmtimet e para më të mëdha, e deri më sot, kur objekti ndodhet në gjendje jashtëzakonisht të keqe, janë bërë disa përpjekje për restaurimin e këtij monumenti me rëndësi kulturore dhe historike. Për këtë arsye, në vitin 2025, Qendra Kombëtare e Konservimit filloi hartimin e Projektit Kryesor për Konservim dhe Restaurim, por për shkak të dëmtimeve jashtëzakonisht të mëdha, të cilat janë përkeqësuar veçanërisht që nga viti 2014, për garantimin e sigurisë statike, në vitin 2026 kanë filluar studimet gjeomekanike, të cilat do të shërbejnë për përmbylljen e Projektit Kryesor.

Komuna e Kërçovës gjithashtu është përfshirë në krijimin e kushteve për realizimin e papenguar të mbrojtjes së drejtpërdrejtë të këtij objekti të rëndësishëm kulturor-historik në rajonin e Kërçovës, përmes hapjes së një rruge hyrëse nga rruga rajonale Kërçovë–Ohër deri te vetë shkolla në Podvis.

Sot, më 31.7.2026, në aktivitetet përfundimtare përgatitore, të cilat synojnë hartimin e projektit për rikonstruksionin e Godinës së Vjetër të Shkollës, morën pjesë: drejtori i Qendrës Kombëtare të Konservimit, mr. Aleksandar Jordanoski; drejtuesja e Sektorit për Hulumtime Konservuese dhe Projektim të Trashëgimisë Kulturore të Paluajtshme, dr. Jehona Spahiu JançevskaIgor Kuzmanovski, inxhinier i diplomuar arkitekt – konservator; prof. dr. Sead Abazi nga Fakulteti i Ndërtimtarisë – Shkup; prof. dr. Mihajlo Zinoski, kryetar i Bordit Drejtues të Qendrës; kryetari i Komunës së Kërçovës, dr. Aleksandar Jovanovski; zëvendësministri i Administratës Publike, prof. dr. Laze Jakimoski; deputeti në Kuvendin e Maqedonisë, Gjorgjia Sajkoski, si dhe drejtoresha e Muzeut “Maqedonia Perëndimore në LÇB” – KërçovëValentina Veljanovska.

Rinovimi i Shkollës së Vjetër në f. Podvis, Këçovë, është pjesë e prioriteteve të Qeverisë në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

Në këtë mënyrë, nuk do të rinovohet vetëm një ndërtesë historike, por do të ruhet vendi që dëshmon për fillimet e mësimit në gjuhën maqedonase dhe që përfaqëson simbolin e arsimit, lirisë dhe identitetit kombëtar.

Burimi i të dhënave: Shërbimi Informativ-Dokumentues pranë Qendrës Kombëtare të Konservimit

Përgatiti: mr. Aleksandar Jordanoski, drejtor

Fotografitë: dr. Jehona Spahiu Jançevska; Davor Bogdanoski

porta.mk

time.mk

racin.mk

002_podvis

Image 1 of 35

You may also like...