PËRFUNDOI KONSERVIMI I KATËR KRYQEVE PROCESIONALE DHE NISËN HULUMTIME TË REJA MBI IKONAT E MANASTIRIT TË BIGORIT

Me kthimin e edhe dy kryqeve të përdorura në procesionet fetare nga thesari i pasur i Manastirit të Bigorit “Shën Gjon Pagëzori”, u përmbyll me sukses procesi i konservimit dhe restaurimit të katër kryqeve procesionale të koleksionit të manastirit. Trajtimi i tyre profesional dhe shkencor u prezantua edhe në konferencën ndërkombëtare “60 Years of Study & Conservation – Archaeology, Architecture, Art”, e mbajtur në Tiranë, Republikën e Shqipërisë, më 21–22 tetor 2025.

 

Pas përfundimit të punimeve konservuese dhe restauruese, më 15 korrik 2026, në Manastirin e Bigorit u rikthyen kryqet procesionale “Kryqëzimi i Krishtit / Ngjitja e Krishtit në Qiell” dhe “Kryqëzimi i Krishtit / Ringjallja e Krishtit”, vepra me vlerë të jashtëzakonshme të ikonografëve të njohur Mihaili nga Samarina dhe djalit të tij Dimitri, përkatësisht murgut Daniil, si edhe të mjeshtërve gdhendës të krahinës së Mijakëve.

Kryqet procesionale iu dorëzuan igumenit të manastirit të shenjtë të Bigorit, Hirësisë së Tij, Ipeshkvit të Antanisë, z. Partenij, nga drejtueset e projekteve. Punimet konservuese dhe restauruese u realizuan nga ekipi profesional i Qendrës Kombëtare të Konservimit – Shkup.

Drejtuese e hulumtimeve konservuese dhe e Projektit për Konservim dhe Restaurim ishte dr. Jehona Spahiu Jançevska, historiane e artit – këshilltare konservimi, ndërsa drejtuese e mbrojtjes së drejtpërdrejtë, përkatësisht e punimeve konservuese-restauruese, ishte mr. Nevenka Veliçkovska, piktore – këshilltare konservimi. Në ekipet profesionale morën pjesë edhe Igor Kavkaleski, piktor-konservator, dhe Nikolla Angellovski, zdrukthëtar.

17 korrik 2026, drejtori i Qendrës Kombëtare të Konservimit, mr. Aleksandar Jordanoski, zhvilloi një takim me Ipeshkvin e Antanisë, z. Partenij. Takimi kishte për qëllim avancimin e bashkëpunimit profesional në fushën e mbrojtjes, hulumtimit dhe promovimit të trashëgimisë kulturore që është nën kompetencën e institucionit.

 

Ndërhyrjet konservuese-restauruese në kryqet procesionale përfshinë bartësin prej druri, gdhendjen, shtresën bazë, shtresën e ngjyrës, prarimin, shtresën mbrojtëse dhe mbajtëset metalike. U fiksuan pjesët e paqëndrueshme të shtresës bazë, të shtresës së ngjyrës dhe të prarimit, pas së cilës u bë pastrimi i tyre. Në fazat e mëtejshme u realizua konsolidimi i bartësve prej druri, mbushja me shtresë bazë restauruese, heqja e llakut të vjetër, si dhe largimi ose korrigjimi i shtresave të vjetra restauruese. Retushimi u krye në bashkëpunim ndërmjet piktores-konservuese dhe historianes së  artit. Mbajtëset metalike u drejtuan dhe u trajtuan me shtresë mbrojtëse. Gjatë procesit të mbrojtjes së drejtpërdrejtë u punuan posaçërisht edhe bazamente me mbajtëse, të cilat po ashtu janë dhuratë nga ekipi profesional.

 

Dy kryqet procesionale kanë afërsi stilistike dhe kronologjike me një numër të madh veprash të Manastirit të Bigorit, veçanërisht me dy kryqet e tjera procesionale që gjithashtu i atribuohen ikonografëve Mihaili nga Samarina dhe Dimitri, përkatësisht murgut Daniil, si dhe mjeshtërve gdhendës mijakë. Këto ishin konservuar dhe kthyer në thesarin e manastirit në fazën paraprake të projektit. Me përfundimin e konservimit edhe të këtyre dy kryqeve, të katër kryqet procesionale rikthehen në vendin e tyre në thesarin e pasur të manastirit me histori shekullore. Në këtë mënyrë përmbyllet mbrojtja e këtij ansambli të rëndësishëm dhe plotësohet një kapitull tjetër i rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Manastirit të Bigorit “Shën Gjon Pagëzori”.

 

Ipeshkvi i Antanisë, z. Partenij, shprehu mirënjohje të sinqertë për punën profesionale dhe të përkushtuar të ekipit, si dhe për dashurinë dhe kujdesin e treguar në ruajtjen e kësaj trashëgimie të shenjtë, duke theksuar nivelin e lartë profesional dhe shkencor të të gjithë procesit.

 

Njëkohësisht me kthimin e kryqeve procesionale, në periudhën 15–17 korrik 2026 u zhvilluan hulumtime konservuese për hartimin e Projektit për Konservimin dhe Restaurimin e ikonave “Hyrja e Hyjlindëses në Tempull”, “Shën Nikolla” dhe “Zbritja në Ferr”, të ruajtura në depon e Manastirit të Bigorit “Shën Gjon Pagëzori”. Këto aktivitete janë pjesë e Programit Vjetor të Punës për vitin 2026 të Qendrës Kombëtare të Konservimit – Shkup.

 

Drejtues dhe anëtarë të ekipit profesional janë:

 

  1. Jehona Spahiu Jançevska, historiane e artit – këshilltare për konservim;
  2. Nevenka Veliçkovska, piktore – këshilltare për konservim;

Svetllana Mamuçevska-Milkoviq, biokimiste – këshilltare për konservim;

  1. Mishko Tutkovski, historian i artit – këshilltar për dokumentim.

Në kuadër të të njëjtit Program Vjetor, për nevojat e ndërhyrjeve konservuese-restauruese u mor edhe dera e protezisit me paraqitjen e Kryeengjëllit Mihail nga kisha “Shën Ahili i Larisës” në Trebishtë. Drejtuese e mbrojtjes së drejtpërdrejtë është dr. Valentina Poceska, piktore – këshilltare për konservim.

 

Përgatiti: dr. Jehona Spahiu Jançevska

 

Fotografitë: Manastiri i Bigorit; mr. Nevenka Veliçkovska; dr. Mishko Tutkovski; dr. Jehona Spahiu Jançevska

 

Burimi: Manastiri i Bigorit “Shën Gjon Pagëzori”.

 

001

Image 1 of 17

You may also like...