Përfunduan hulumtimet e gjera konservuese në terren në Manastirin e Pollogut (III)

Më 9 korrik 2026 përfunduan hulumtimet konservuese në terren në Manastirin e Pollogut Shën Gjergji. Ekipet profesionale të Qendrës Kombëtare të Konservimit realizuan aktivitetet e planifikuara në përputhje me programin operativ dhe dinamikën e përcaktuar, duke zhvilluar paralelisht hulumtime si mbi arkitekturën ashtu edhe mbi pikturën murale.

Gjatë hulumtimeve u kryen prova mbi pikturën murale, u evidentuan në mënyrë të detajuar dëmtimet, u dokumentua gjendja (me fotografi) dhe u monitoruan rezultatet e provave të pastrimit. Vëmendje e veçantë iu kushtua pranisë së kripërave, papastërtive dhe proceseve të tjera të degradimit që ndikojnë në ruajtjen e pikturës murale, si dhe gjendjes së shtresave të suvasë dhe lidhjes së tyre me strukturën mbajtëse. Njëkohësisht vazhduan edhe hulumtimet arkitektonike, të cilat përfshinë matje shtesë, incizime dhe përpunimin e të dhënave të mbledhura në terren, të nevojshme për përgatitjen e dokumentacionit të plotë mbi gjendjen e objektit. Paralelisht u sistemuan të dhënat, rezultatet e hulumtimeve dhe fotodokumentimi, me qëllim analizimin dhe përpunimin e mëtejshëm profesional.

Në ditën e fundit të hulumtimeve, Manastirin e Pollogut e vizitoi drejtori i Qendrës Kombëtare të Konservimit, mr. Aleksandar Jordanoski. Gjatë vizitës ai zhvilloi një takim pune me anëtarët e ekipeve profesionale dhe u njoh nga afër me ecurinë e hulumtimeve, aktivitetet e realizuara dhe gjetjet e para të dala nga puna në terren.

Drejtueset e projekteve, dr. Jehona Spahiu Jançevska, historiane e artit – këshilltare për konservim, dhe mr. Cvetanka Haxhi Pecova, inxhiniere e diplomuar e arkitekturës – këshilltare për konservim, e informuan drejtorin Jordanoski për hulumtimet dhe aktivitetet e zhvilluara, për gjendjen e monumentit të trashëgimisë kulturore dhe për hapat e mëtejshëm të paraparë në procesin e përgatitjes së dokumentacionit projektues. Në kuadër të vizitës, drejtori u njoh nga afër me hulumtimet në zhvillim dhe me një pjesë të dokumentacionit që po përgatitet në terren. Rezultatet e hulumtimeve ndërdisiplinore do të shërbejnë si bazë për përgatitjen e projekteve të konservimit dhe restaurimit, me të cilat do të përcaktohen masat e ardhshme mbrojtëse. Gjithashtu u shqyrtuan edhe çështje që lidhen me realizimin e mëtejshëm të aktiviteteve dhe sigurimin e kushteve për vazhdimin e procesit të mbrojtjes së kishës Shën Gjergji.

Kontribut veçanërisht të rëndësishëm në realizimin e hulumtimeve në terren dhanë anëtarët e ekipeve profesionale: mr. Vlado Mukovski, piktor – këshilltar për konservim; Orhan Osmani, grafist – konservues; mr. Luiza Nevzati, inxhiniere e diplomuar e arkitekturës – konservuese e lartë; dhe dr. Mishko Tutkovski, historian arti – këshilltar për dokumentim. Me profesionalizëm, kompetencë dhe përkushtim të lartë, ata realizuan aktivitetet e planifikuara në kushtet specifike të punës në terren, duke siguruar zbatimin e vazhdueshëm dhe cilësor të procedurave kërkimore, dokumentuese dhe analitike. Aktivitetet në terren iu bashkua edhe prof. dr. Sergej Çurillov, inxhinier ndërtimi, i cili kreu një vlerësim profesional të gjendjes së objektit dhe mori pjesë në aktivitetet që lidhen me analizimin e karakteristikave konstruktive dhe gjendjes së ndërtesës. Angazhimi i tyre përbën kontributin më të rëndësishëm dhe parakushtin për realizimin me sukses të hulumtimeve ndërdisiplinore dhe hartimin e projekteve të konservimit dhe restaurimit.

Mirënjohje të sinqertë meriton përgjegjësja e manastirit, murgesha Magdalena, mikpritja, ndihma e pakursyer dhe përzemërsia e së cilës u mundësuan ekipeve profesionale të punonin në kushtet më të mira të mundshme. Ajo, me kujdes dhe përgjegjësi të madhe, udhëheq jetën e përditshme të manastirit, duke iu përkushtuar rregullimit, mirëmbajtjes dhe funksionimit të tij. Vetëmohimi, përkushtimi i thellë ndaj këtij vendi të shenjtë dhe kujdesi i saj i sinqertë reflektohen në çdo segment të jetës manastirore. Falë punës së saj të palodhshme dhe vëmendjes së vazhdueshme, Manastiri i Pollogut vazhdon të jetë një qendër aktive shpirtërore dhe një vend ku kultivohen me dashuri dhe respekt trashëgimia shumë shekullore shpirtërore, kulturore dhe artistike.

Hulumtimet në kabinet dhe laborator do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, ndërsa rezultatet e fituara do të mundësojnë një vlerësim më të plotë të gjendjes, vlerave dhe masave të nevojshme për mbrojtjen e kishës, duke krijuar një bazë të fortë për ruajtjen e saj afatgjatë dhe prezantimin e duhur.

Në publikimet e ardhshme do të prezantohen ecuria e hulumtimeve në zyrë dhe laborator, rezultatet e arritura, si dhe procesi i përgatitjes së projekteve të konservimit dhe restaurimit.

Vazhdon…

Përgatiti: dr. Jehona Spahiu Jançevska

001

Image 1 of 32

You may also like...