Mbërritja në Manastirin e Pollogut dhe fillimi i hulumtimeve konservuese (II)

Realizimi i hulumtimeve konservuese disaditore në Manastirin e Pollogut Shën Gjergji, i vendosur në kushte specifike hapësinore, kërkoi përgatitje të hershme dhe të kujdesshme të të gjitha aspekteve që lidhen me punën në terren, transportin, akomodimin dhe qëndrimin e anëtarëve të ekipeve profesionale.

Koordinimin e përgatitjeve për realizimin e hulumtimeve në terren e udhëhoqi dr. Jehona Spahiu Jançevska, historiane e artit – këshilltare për konservim dhe udhëheqëse e projektit për konservimin dhe restaurimin e pikturës murale. Gjatë këtij procesi, ajo ishte në komunikim të vazhdueshëm me drejtuesen e manastirit, igumenenë Magdalena, si dhe me zëvendës arqipeshkvin, kryepriftin-stavrofor Voisllav Gjorgjiev, me qëllim sigurimin e të gjitha kushteve të nevojshme për zhvillimin pa pengesa të hulumtimeve disaditore. Realizimi i të gjitha këtyre aktiviteteve u mundësua edhe falë përkushtimit të plotë, angazhimit profesional, ndihmës së pakursyer dhe gatishmërisë së anëtarëve të ekipeve profesionale, të cilët dhanë kontributin më të madh në organizimin dhe realizimin me sukses të çdo segmenti të organizimit dhe të hulumtimeve.

Organizimi përfshiu koordinimin e transportit të anëtarëve të ekipeve profesionale, si dhe të pajisjeve dhe materialeve të nevojshme, për çka u shprehim mirënjohje edhe kolegëve Igor Kuzmanovski, inxhinier i diplomuar i arkitekturës – konservues, dhe Nikola Angelloski, zdrukthëtar. Më pas u siguruan kushtet e përshtatshme për qëndrim dhe punë në manastir, si dhe u harmonizuan aktivitetet në terren me jetën e përditshme dhe detyrimet e manastirit. Të gjitha përgatitjet dhe aktivitetet u realizuan në bashkëpunim të ngushtë me drejtuesit e manastirit dhe me përfaqësuesit e Dioqezës Ortodokse të Povardarit, duke respektuar në mënyrë të përpiktë tipikun e manastirit dhe udhëzimet e dhëna, si dhe në përputhje me kanonet e Kishës dhe dispozitat e Kushtetutës së Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit.

6 korrik 2026, dy ekipet profesionale të Qendrës Kombëtare për Konservim – Shkup, të angazhuara në hartimin e projekteve për konservimin dhe restaurimin e arkitekturës dhe pikturës murale të kishës Shën Gjergji, mbërritën në brigjet e Liqenit të Tikveshit, prej nga filloi udhëtimi drejt manastirit. Krahas drejtuesve të manastirit, shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë edhe për zotin Aco Mitev, menaxher i kompanisë „Selekta“ dhe koncesionar aktual i zonës së peshkimit në Liqenin e Tikveshit, i cili vuri në dispozicion një skaf me motor, të drejtuar nga kapitenia Mare. Pasoi një udhëtim mbresëlënës nëpër liqen, i cili me varkë zgjat rreth 60–70 minuta, ndërsa me skaf është dukshëm më i shkurtër. Gjatë lundrimit hapej gradualisht pamja drejt kompleksit manastiror, i vendosur në ambientin e jashtëzakonshëm natyror të Liqenit të Tikveshit. Për anëtarët e ekipit, kjo nuk ishte vetëm mbërritja në një vend pune, por edhe fillimi i një etape të re në përpjekjet shumëvjeçare për studimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e këtij monumenti të jashtëzakonshëm të trashëgimisë kulturore.

Pas mbërritjes në manastir, anëtarët e ekipeve profesionale u pritën ngrohtësisht nga drejtuesja e manastirit, murgesha Magdalena, mikpritja dhe gatishmëria e së cilës për bashkëpunim krijuan kushte të shkëlqyera për qëndrimin dhe fillimin e hulumtimeve. Më pas vijoi akomodimi i ekipeve, organizimi i hapësirave të punës dhe i pajisjeve, si dhe koordinimet fillestare për aktivitetet e planifikuara për ditët në vijim, në përputhje me programin operativ të përgatitur paraprakisht nga mr. Cvetanka Haxhi Pecova, inxhiniere e diplomuar e arkitekturës – këshilltare për konservim. Që në ditën e parë filluan edhe aktivitetet e para në terren, të lidhura me hulumtimin dhe dokumentimin e arkitekturës dhe të pikturës murale.

Pas vendosjes së skelës, filluan hulumtimet konservuese të pikturës murale, të cilat përfshijnë ekzaminime vizuale, analiza të teknikës së realizimit dhe të gjendjes së ruajtjes, evidentimin e dëmtimeve, si dhe kryerjen e sondave dhe provave të tjera. Këto aktivitete realizohen nga mr. Vllado Mukovski, piktor – këshilltar për konservim, dhe Orhan Osmani, grafist – konservues. Në kuadër të hulumtimeve, me qëllim përcaktimin e metodës më efikase dhe më të sigurt të pastrimit, u kryen prova për largimin kimik të kripërave, për të cilat u përdorën këto substanca kimike: karbonat amoniumi (Ammonium carbonate), bikarbonat amoniumi (Ammonium bicarbonate), Amberlite 4400 dhe Amberlite 120. Gjithashtu, u kryen edhe prova për pastrim të thatë me goma Wosab me fortësi të ndryshme.

Paralelisht zhvillohen edhe hulumtimet arkitekturore, të cilat përfshijnë matje, incizime dhe përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm mbi gjendjen e objektit. Në kuadër të dokumentacionit arkitektonik, teknik dhe fotodokumentues realizohen edhe incizime ajrore me përdorimin e mjeteve ajrore pa pilot (dronëve), mbi bazën e lejeve të marra paraprakisht nga Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, me qëllim sigurimin e të dhënave të sakta mbi gjendjen dhe kontekstin hapësinor të kompleksit manastiror. Dronët operohen nga mr. Luiza Nevzati, inxhiniere e diplomuar e arkitekturës – konservuese e lartë, dhe nga dr. Mishko Tutkovski, historian arti –këshilltar për dokumentim, i cili njëkohësisht është përgjegjës edhe për fotodokumentimin. Në të njëjtën kohë, dr. Lidija Robeva Çukovska, kimiste –këshilltare për konservim, mori mostra përfaqësuese për analiza fiziko-kimike të materialeve të ndërtimit dhe pikturimit.

Rezultatet e të gjitha analizave dhe hulumtimeve të realizuara do të mundësojnë një kuptim më të plotë të materialeve, përbërjes së tyre, teknologjisë së realizimit, gjendjes së ruajtjes dhe shkallës së degradimit, duke përbërë një bazë të rëndësishme për përcaktimin e masave të ardhshme të konservimit dhe restaurimit. Në bazë të rezultateve të hulumtimeve ndërdisiplinore të realizuara, të valorizimit të kryer të të mirës kulturore dhe të raporteve profesionale të përgatitura, udhëheqëset e projekteve, dr. Jehona Spahiu Jançevska dhe mr. Cvetanka Haxhi Pecova, do ta hartojnë dhe miratojnë programin e projektit, me të cilin do të përcaktohen aktivitetet e mëtejshme konservuese dhe restauruese.

Me këto aktivitete u shënua fillimi i fazës së re të hulumtimeve konservuese në Manastirin e Pollogut Shën Gjergji, të cilat janë në zhvillim e sipër dhe janë të orientuara drejt ruajtjes, mbrojtjes dhe prezantimit afatgjatë të këtij monumenti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore.

Vazhdon…

Përgatitën: dr. Jehona Spahiu Jançevska dhe mr. Vllado Mukovski.

1

Image 1 of 41

You may also like...