Një hap i ri drejt ruajtjes së Manastirit të Polloshit, Shën Gjergji – rezultat i përpjekjeve shumëvjeçare (I)
Kur profesionalizmi, shkenca, përkushtimi dhe dashuria për trashëgiminë kulturore bashkohen në një vend, nis një rrugëtim i ri drejt ruajtjes së së kaluarës për brezat e ardhshëm.
Gjatë periudhës 6–9 korrik 2026, dy ekipe profesionale nga Qendra Kombëtare e Konservimit – Shkup do të realizojnë hulumtime konservuese në kishën Shën Gjergji në Manastirin e Pollogut, me qëllim hartimin e projekteve për konservimin dhe restaurimin e arkitekturës dhe pikturës murale të njërit prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të paluajtshme në vendin tonë.
I vendosur në brigjet e Liqenit të Tikveshit dhe i arritshëm vetëm nëpërmjet rrugës ujore, Manastiri i Pollogut përfaqëson një ndërthurje të rrallë të bukurisë natyrore, spiritualitetit dhe historisë shekullore. Mbërritja me varkë në kompleksin manastiror ofron një përjetim të drejtpërdrejtë të atmosferës së tij unike dhe izolimit, të cilat ndër shekuj kanë kontribuar në ruajtjen e karakterit të tij autentik. Pikërisht në një mjedis të tillë, natyra dhe trashëgimia kulturore bashkëjetojnë në një lidhje të pandashme.
Udhëheqëse e projektit për arkitekturën është mr. Cvetanka Haxhi Pecova, inxhiniere e diplomuar e arkitekturës – këshilltare për konservim, ndërsa udhëheqëse e projektit për pikturën murale është dr. Jehona Spahiu Jançevska, historiane e artit – këshilltare për konservim. Në hulumtime marrin pjesë edhe mr. Vllado Mukovski, piktor – këshilltarpër konservim; dr. Lidija Robeva Çukovska, kimiste – këshilltare për konservim; dr. Mishko Tutkovski, historian i artit –këshilltar për dokumentim; mr. Luiza Nevzati, inxhiniere e diplomuar e arkitekturës – konservuese e lartë; Orhan Osmani, grafik – konservues; si dhe prof. dr. Sergej Çurillov, inxhinier ndërtimi. Së bashku ata bashkojnë ekspertiza të ndryshme profesionale dhe shkencore në një mision të përbashkët: studimin, hulumtimin konservues dhe mbrojtjen e kësaj pasurie të jashtëzakonshme kulturore.
Veçanërisht me rëndësi është fakti se hulumtimet e tanishme përbëjnë vazhdimin e një procesi të nisur më shumë se një dekadë më parë. Që në vitin 2013, dr. Jehona Spahiu Jançevska përgatiti aplikimin për nominimin e Manastirit të Pollgut në World Monuments Fund (WMF), falë të cilit ky monument u përfshi në listën ndërkombëtare World Monuments Watch (WMW) për vitin 2014. Në këtë mënyrë, kjo pasuri kulturore u njoh dhe u pozicionua në mënyrë të denjë në kuadër të përpjekjeve globale për mbrojtjen dhe promovimin e saj. Në kuadër të kësaj nisme u propozua dhe u formua një ekip profesional i përbërë nga ekspertë të fushave të ndryshme, i cili në masë të madhe përputhet me ekipin që sot punon në terren.
Aktivitetet e sotme përfaqësojnë vazhdimin natyror të këtyre përpjekjeve dhe të përkushtimit shumëvjeçar profesional për ruajtjen e këtij monumenti. Me rëndësi të veçantë është fakti se, pas shumë vitesh, më në fund janë krijuar kushtet për fillimin e këtij procesi, falë mirëkuptimit dhe mbështetjes së drejtorit të Qendrës Kombëtare të Konservimit, mr. Aleksandar Jordanoski, si dhe angazhimit të tij për avancimin e aktiviteteve që lidhen me hulumtimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të paluajtshme.
Gjatë hulumtimeve do të përgatitet dokumentacion i detajuar arkitektonik, teknik dhe fotografik; do të analizohen teknikat dhe gjendja e arkitekturës dhe e pikturës murale; do të kryhen prova dhe do të merren mostra për analiza kimike; si dhe do të evidentohen faktorët që ndikojnë në gjendjen dhe ruajtjen e tyre. Hulumtimet do të mundësojnë gjithashtu përcaktimin e masave të përshtatshme për stabilitetin dhe mbrojtjen e tyre afatgjatë. Këto të dhëna do të shërbejnë si bazë për ndërhyrjet e ardhshme konservuese dhe restauruese.
Por ky është vetëm fillimi i një historie shumë më të madhe. Gjatë hulumtimeve në Manastirin e Pollogut do të hapen pyetje dhe njohuri të reja, ndërsa puna e përditshme në terren do të zbulojë veçantitë dhe sfidat me të cilat përballet mbrojtja e kësaj trashëgimie kulturore me vlera të jashtëzakonshme. Në publikimet e ardhshme do të ndajmë ecurinë e hulumtimeve, përvojat nga qëndrimi dhe puna në manastir, karakteristikat e hapësirës, si dhe një pjesë të njohurive që do të dalin nga ky proces i rëndësishëm studimi, mbrojtjeje dhe ruajtjeje.
Vazhdon…
Përgatiti: dr. Jehona Spahiu Jançevska





