Pjesëmarrje në Simpoziumin ndërkombëtar jubilar të bizantologëve „Nishi dhe Bizanti XXV“

Gjatë periudhës 3–5 qershor 2026, në Nish, Republika e Serbisë, u mbajt Simpoziumi Ndërkombëtar i Bizantologëve „NISHI DHE BIZANTI XXV“, me temë „Perandoria Ortodokse e Romakëve në pikturat e të krishterëve të hershëm“. Organizatorë të simpoziumit janë Qyteti i Nishit dhe Universiteti i Nishit, ndërsa bashkëorganizatorë janë Dioqeza Ortodokse e Nishit dhe Qendra Kulturore e Nishit. Themelues i këtij aktiviteti të konsoliduar shkencor është prof. dr. Miša Rakoçija.

Simpoziumi Ndërkombëtar mbahet tradicionalisht në kuadër të kremtimeve kushtuar shenjtorëve Perandor Konstandini dhe Perandoresha Elena, duke theksuar veçanërisht rëndësinë e Nishit si vendlindja e Shën Perandorit Konstandin. Këtë vit, aktiviteti shënoi një jubile të rëndësishëm – 25 vjet nga themelimi i tij, duke dëshmuar vazhdimësinë dhe rëndësinë e simpoziumit si një nga tubimet më prestigjioze shkencore kushtuar kërkimeve bizantine dhe postbizantine në rajon dhe më gjerë. Gjatë dy dekadave e gjysmë të fundit, simpoziumi është shndërruar në një platformë të rëndësishme ndërkombëtare për shkëmbimin shkencor, me pjesëmarrjen e studiuesve të shquar nga fusha të ndryshme: historia e artit, arkeologjia, historia, teologjia, filologjia, arkitektura dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore.

Në këtë tubim mori pjesë edhe dr. Jehona Spahiu Jançevska, historiane e artit, këshilltare për konservim – punëtore profesionale për trashëgiminë artistike të periudhës bizantine dhe postbizantine (shek. IX–XVIII), në Departamentin e Trashëgimisë Artistike, Sektorin për Hulumtim dhe Projektim Konservator të Trashëgimisë së Paluajtshme Kulturore në Qendrën Kombëtare të Konservimit. Ajo prezantoi punimin me titull: “The Curious Case of Two Coexisting Painting Phases in the Church of the Holy Mother of God (St. Nicholas) in Rankovce”, kushtuar kishës Shën Maria (Shën Nikolla) në Rankovcë, trashëgimi kulturore e paluajtshme nën kompetencë të institucionit tonë.

Në prezantim u paraqitën historia dhe veçoritë arkitekturore të tempullit, i cili përbën një shembull të rëndësishëm të arkitekturës sakrale të shekullit XIX në rajonin e Kumanovës dhe Kriva Pallankës, i ndërtuar mbi themelet e një kishe më të vjetër të shekujve XVI–XVII. Vëmendje e veçantë iu kushtua organizimit hapësinor, përpunimit dekorativ të brendësisë dhe programit piktural. Hulumtimi u fokusua në dy fazat e pikturimit të kishës, ku pikturat murale më të vjetra të ruajtura në hapësirën e altarit paraqesin një dëshmi të rëndësishme për pikturën postbizantine në rajon. Ruajtja dhe integrimi i tyre në kuadër të tempullit të rinovuar përbën një shembull të rrallë të respektimit të shtresës së vjetër, në vend të mbulimit të saj të plotë me piktura të reja. Në prezantim u shqyrtuan gjithashtu edhe paralelizmat stilistike dhe ikonografike me kishën Shën Gjergji në Petralicë, përmes të cilave evidentohen karakteristikat e krijimtarisë së Avram Diçovit gjatë periudhës së veprimtarisë së tij të maturuar.

Në kuadër të simpoziumit ndërkombëtar, Spahiu Jançevska edhe këtë vit ishte moderatore e njërit prej sesioneve, duke dhënë një kontribut shtesë në organizimin e suksesshëm dhe në nivelin e lartë profesional të edicionit jubilar të simpoziumit.

Përgatiti: dr. Jehona Spahiu Jançevska

Fotografi: dr. Ivona Panxhak-Pineva, dr. Lidija Kovaçeva, dr. Jehona Spahiu Jançevska

Burime:

Južne vesti, „Tubimi shkencor ndërkombëtar Nishi dhe Bizanti – këtë vit në shenjë të jubileut dhe pikturës së hershme të krishterë“, 2026.
Faqja zyrtare në Facebook „Nishi dhe Bizanti“.
Video-regjistrimi i hapjes së Simpoziumit Ndërkombëtar të Bizantologëve „Nishi dhe Bizanti XXV“ (YouTube).

 

001-1_Sveceno-otvoranje-na-Nis-i-Vizantija

Image 1 of 16

You may also like...