Akt historik për ruajtjen e trashëgimisë kulturore maqedonase: U inaugurua solemnisht Shtëpia Përkujtimore e restauruar e Kryengritjes së Razllovcit në Razllovc
Në prani të kryetarit të Qeverisë së RMV-së, prof. dr. Hristijan Mickoski, ministrit të Kulturës dhe Turizmit, z. Zoran Ljutkov, drejtorit të Qendrës Kombëtare të Konservimit, mr. Aleksandar Jordanoski, kryetarit të Komunës së Dellçevës, Ivan Gocevski, si dhe drejtorit të Qendrës së Kulturës “Nikola Jonkov – Vapcarov” në Dellçevë, z. Zlatko Naçovski, më 19 maj 2026 në fshatin Razllovc u inaugurua solemnisht Shtëpia Përkujtimore e restauruar e Kryengritjes së Razllovcit, një nga simbolet më të rëndësishme të historisë revolucionare maqedonase dhe luftës për liri.
Në ceremoninë solemne morën pjesë përfaqësues të shumtë nga fusha profesionale dhe shkencore, drejtorë institucionesh kombëtare dhe lokale nga sfera e kulturës dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, personalitete publike, si dhe një numër i madh qytetarësh, të cilët me praninë e tyre kontribuan në shënimin dinjitoz të këtij jubileu të rëndësishëm.
Ngjarja u mbajt në vitin kur shënohen 150 vjet nga Kryengritja e Razllovcit (1876–2026), jubile që përfaqëson një kujtesë të qëndresës, sakrificës dhe aspiratës për liri të popullit maqedonas. Shtëpia-Përkujtimore e restauruar rihapi dyert e saj si hapësirë kujtese, dinjiteti dhe përkujdesjeje të përhershme për trashëgiminë kulturore.
Drejtori i Qendrës Kombëtare të Konservimit, mr. Aleksandar Jordanoski, prezantoi ndërhyrjet e realizuara konservuese dhe restauruese dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së objekteve që përfaqësojnë themelet e identitetit historik kombëtar. Ai nënvizoi se rindërtimi i Shtëpisë Përkujtimore nuk paraqet vetëm restaurimin e një objekti, por një akt përgjegjësie historike dhe pjekurie qytetëruese, përmes të cilit afirmohet kujdesi për të kaluarën si parakusht për ndërtimin dinjitoz të së ardhmes.
Restaurimi i Shtëpisë Përkujtimore është gjithashtu një konfirmim i qartë i gatishmërisë dhe përkushtimit të Qendrës Kombëtare të Konservimit, por edhe i institucioneve të tjera, për ta ruajtur historinë, për ta respektuar dhe për ta përcjellë atë te brezat e ardhshëm. Mbrojtja e trashëgimisë kulturore përfaqëson një mision të përhershëm, fisnik dhe të përgjegjshëm, por edhe një obligim ndaj vlerave shpirtërore dhe historike mbi të cilat është ndërtuar identiteti maqedonas.
Projekti është realizuar nga Qendra Kombëtare e Konservimit, në kuadër të Programit Vjetor për realizimin e interesit kombëtar në kulturë për vitin 2026, me mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, dhe përfaqëson gjithashtu pjesë të prioriteteve qeveritare në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.
Autor i projektit të objektit është prof. dr. Georgi Konstantinovski, ndërsa autore e projektit bazë për konservim dhe restaurim është Gjurgjica Lekovska, arkitekte e diplomuar dhe këshilltare për konservim. Në procesin e punimeve konservuese-restauruese morën pjesë mr. Cvetanka Haxhi Pecova, arkitekte e diplomuar dhe këshilltare për konservim, si dhe Igor Kuzmanovski, arkitekt i diplomuar – konservues. Mbikëqyrjen konservuese e realizoi Konstantin Dimitrovski, arkitekt i diplomuar dhe këshilltar konservator, ndërsa mbikëqyrjen ndërtimore e realizoi Gjorgji Asprovski, inxhinier i diplomuar i ndërtimtarisë. Leja konservatore është lëshuar nga Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, ndërsa realizues i punimeve është kompania Izgradba – Komerc DOOEL.
Delegacioni vizitoi edhe kishën “Shën Konstandini dhe Elena” në Razllovc, një trashëgimi e rëndësishme shpirtërore dhe kulturore-historike e shekullit XIX, ku dr. Jehona Spahiu Jançevska, historiane arti dhe këshilltare konservatore, prezantoi historikun e tempullit dhe pikturën murale. Vëmendje e veçantë iu kushtua portreteve të katër ktitorëve: At Stojan, Cone Spasev, Stoill Gjorgjov dhe Stoill Kovaç, një dokument i rrallë historik vizual që dëshmon lidhjen e tempullit me Kryengritjen e Razllovcit dhe komunitetin lokal, duke ruajtur kujtimin për personalitetet që lanë gjurmë të thella në historinë revolucionare maqedonase.
Me restaurimin e Shtëpisë Përkujtimore të Kryengritjes së Razllovcit, Qendra Kombëtare Konservuese edhe një herë konfirmon përkushtimin e saj ndaj mbrojtjes, ruajtjes dhe afirmimit të trashëgimisë kulturore dhe historike maqedonase, duke lënë një gjurmë të përhershme në shënimin e këtij jubileu të rëndësishëm kombëtar.
Razllovci, me këtë ngjarje, po profilizohet dhe po regjistrohet si një pikë e rëndësishme në hartën historike dhe kulturore, ku e kaluara dhe e tashmja takohen në shërbim të së ardhmes, duke hapur mundësi të reja për zhvillim kulturor, promovim dhe avancim të rajonit.
Përgatitën: mr. Aleksandar Jordanoski dhe dr. Jehona Spahiu Jançevska
Fotografitë: Ljupço Tanurovski
“Nova Makedonija” – SHIH
delchevo365.mk – SHIH





