Ekspertiza maqedonase në konservim u prezantua në panairin prestigjioz në Firence
Qendra Kombëtare e Konservimit përfaqësoi me dinjitet ekspertizën maqedonase në kulturë dhe konservim në panairin prestigjioz ndërkombëtar Salone dell’Arte e del Restauro di Firenze 2026 në Firence, Itali, ku para publikut profesional u prezantua tema: “Rruga e Afreskut: Midis Artit dhe Konservimit”.
Si folës morën pjesë mr. Vlado Mukovski, këshilltar për konservim për pikturën murale dhe udhëheqës i Sektorit për konservim dhe restaurim në Qendrën Kombëtare të Konservimit, si dhe mr. Angelina Spirovska Mukovska, konservuese e lartë për pikturën murale.
Prezantimi iu kushtua projektit aktual konservues-restaurues të afreskeve në kishën “Shën Gjergji” në Nagoriçan të Vjetër, një nga monumentet më të rëndësishme të artit bizantin në Ballkan.
Gjithashtu, u bë një ndërlidhje me rezultatet dhe aktivitetet konservuese të realizuara më parë në kishën “Shën Hyjlindësja Perivlepta” në Ohër. Përmes këtyre dy projekteve të rëndësishme konservuese-restauruese u theksua edhe rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar me ekspertë të huaj, si specialistët italianë Donatella Zari dhe Carlo Giantomasi, të cilët, si ekspertë të UNESCO-s, ishin të përfshirë në të dy projektet.
Vëmendje të veçantë tërhoqi edhe analiza krahasuese profesionale ndërmjet pikturës bizantine dhe asaj italiane të afreskut.
Me këtë paraqitje, Maqedonia edhe një herë konfirmoi se disponon nivel të lartë njohurish, profesionalizëm dhe qasje bashkëkohore në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, duke qëndruar në mënyrë të barabartë pranë institucioneve kryesore evropiane në fushën e konservimit dhe restaurimit.
Vetë pjesëmarrja në këtë panair prestigjioz hap mundësi të reja për bashkëpunime të ardhshme në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.
IL CAMMINO DELL’AFFRESCO: TRA ARTE E CONSERVAZIONE | Salone dell’Arte e del Restauro di Firenze





