Prezantimi i Qendrës Kombëtare të Konservimit në Qendrën Kulturore-Informative maqedonase në Sofje, Republika e Bullgarisë

Më 17 prill 2026, me fillim në orën 18:30, në Qendrën Kulturore-Informative të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Sofje, në Republikën e Bullgarisë, u mbajt prezantimi i Qendrës Kombëtare të Konservimit nga Shkupi, i realizuar me ftesë të prof. dr. Zoran Pejkovski, drejtor i institucionit nikoqir.

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Konservimit, mr. Aleksandar Jordanoski, para të pranishmëve prezantoi institucionin, veprimtarinë, misionin dhe kontributin e vazhdueshëm në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të paluajtshme. Në fjalimin e tij ai u ndal në rolin e Qendrës si institucion qendror dhe amë, i themeluar në vitin 1949, i cili në përputhje me rregullativat ligjore dhe standardet bashkëkohore profesionale kryen evidentimin dhe (ri)vlerësimin e të mirave kulturore, kontroll profesional dhe mbikëqyrje konservuese, koordinim të aktiviteteve mbrojtëse, hulumtime konservuese, hartim të bazave dhe projekteve konservuese, realizim të ndërhyrjeve konservuese-restauruese, përkatësisht mbrojtje të drejtpërdrejtë, veprimtari shkencore-kërkimore dhe botuese, si dhe trajnim të kuadrove profesionale në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

Për rëndësinë dhe rolin e Qendrës Kombëtare të Konservimit foli edhe dr. Jehona Spahiu Jançevska, historiane e artit dhe këshilltare për konservim, e cila theksoi rëndësinë e institucionit, veçanërisht për qasjen profesionale dhe shkencore në ruajtjen e vlerave kulturore dhe transmetimin e tyre tek gjeneratat e ardhshme.

Në kuadër të ngjarjes u mbajt edhe promovimi i librit “Njeriu, kultura dhe investimi në kulturën e vet” (2025) nga mr. Aleksandar Jordanoski, vepër që buron nga përvoja dhe angazhimi i tij shumëvjeçar profesional. Libri ofron një analizë koherente dhe të argumentuar, në të cilën kultura shihet si një lidhje thelbësore ndërmjet identitetit, kujtesës historike dhe rrjedhave bashkëkohore shoqërore, por edhe si hapësirë përgjegjësie, mendimi kritik dhe vizioni. Për librin foli dr. Jehona Spahiu Jançevska, ndërsa prof. dr. Zoran Pejkovski theksoi se vepra përfaqëson një kontribut të rëndësishëm shkencor dhe shoqëror, duke hapur çështje të rëndësishme dhe duke ofruar përgjigje relevante lidhur me kulturën, identitetin dhe zhvillimin e shoqërisë bashkëkohore maqedonase. U theksua gjithashtu se libri ka potencial të jetë i dobishëm jo vetëm për publikun shkencor dhe profesional, por edhe për krijuesit e politikave kulturore dhe skenën më të gjerë kulturore, duke u renditur ndër punimet më të rëndësishme bashkëkohore që trajtojnë trashëgiminë kulturore dhe rolin e saj në shoqëri.

Ngjarja përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në afirmimin ndërkombëtar të Qendrës Kombëtare të Konservimit, duke konfirmuar rolin e saj aktiv në kontekstin më të gjerë kulturor dhe profesional. Aktivitete të tilla kontribuojnë në thellimin e bashkëpunimit institucional, shkëmbimin e përvojave dhe njohurive, si dhe në promovimin më intensiv të trashëgimisë kulturore maqedonase jashtë kufijve të shtetit.

Përgatiti: dr. Jehona Spahiu Jançevska

Fotografitë: dr. Maja Zaharieva

Burimet:

НЕТ ПРЕСС

РЕПУБЛИКА

МИА.МК

МКД.МК

1-Pokana_MK_Aleksandar_Jordanoski_2026_0

Image 1 of 11

You may also like...