Punim shkencor për kishat në Nagoriçan të Vjetër dhe të Ri botuar në të përvitshmen ndërkombëtare „ART READINGS 2025“
Ështe publikuar botimi i përvitshëm tematik i recenzuar për historinë e artit në dy vëllime – ART READINGS: Thematic Peer-reviewed Annual in Art Studies, Volumes I–II, I.2025 – Old Art, Sofje 2026, një publikim prej 674 faqesh kushtuar temës “Arts and Archives / Arte dhe Arkiva”. Redaktorë të botimit janë: dr. Margarita Kujumxhijeva, dr. Darina Bojkina, dr. Tereza Baçeva dhe dr. Maja Zaharieva.
Në këtë vjetar prestigjioz ndërkombëtar shkencor është botuar edhe një punim në gjuhën angleze nga dr. Jehona Spahiu Jançevska, historiane e artit, këshilltare për konservim – punonjëse profesionale për trashëgiminë artistike të periudhës bizantine dhe postbizantine (shek. IX–XVIII) në Departamentin për Trashëgimi Artistike, në Sektorin për Hulumtim dhe Projektim Konservues të Trashëgimisë Kulturore të Paluajtshme në Qendrën Kombëtare të Konservimit – Shkup.
Punimi është botuar në bashkëautorësi me dr. Maja Zaharieva, historiane arti dhe asistente kryesore në Institutin për Studime të Artit pranë Akademisë Bullgare të Shkencave, interesi shkencor i së cilës është i përqendruar në ikonografinë ortodokse lindore dhe artin postbizantin.
Hulumtimet e botuara në këtë vjetar rrjedhin nga kumtesat e prezantuara në konferencën ndërkombëtare shkencore ART READINGS 2025, e cila u mbajt nga 3 deri më 5 prill 2025 në Sofje.
Punimi titullohet: “Reconstruction of the Past: The Churches of Staro and Mlado Nagoričane in Archival Sources”
(“Rikonstruksioni i së kaluarës: kishat në Nagoriçan të Vjetër dhe të Ri në burimet arkivore”).
Në të hulumtohet dhe analizohet rëndësia historike, kulturore, artistike dhe shpirtërore e kishave në Nagoriçan të Vjetër dhe të Ri, duke u bazuar në material të pasur arkivor dhe burime relevante. Duke iu referuar literaturës më të hershme shkencore, si dhe dokumenteve të ruajtura në arkiva të rëndësishme dhe në qendra konservuese në Sofje dhe Shkup, autorët rindërtojnë zhvillimin, perceptimin dhe proceset e ruajtjes së këtyre pasurive kulturore të paluajtshme nga fillimi i shekullit XX deri në ditët e sotme.
Përmes integrimit të burimeve të shkruara, fotodokumentacionit dhe projekteve e raporteve konservuese-restauruese, hulumtimi tregon se këto kisha paraqesin bartës të rëndësishëm të kujtesës kolektive dhe të vazhdimësisë shpirtërore, kulturore dhe artistike. Punimi thekson rolin e pazëvendësueshëm të arkivave në proceset e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe konfirmon rëndësinë e ruajtjes së saj si përgjegjësi profesionale, por edhe si detyrim moral ndaj historisë.
Me pjesëmarrjen e kuadrove profesionale të Qendrës Kombëtare të Konservimit – Shkup në konferenca ndërkombëtare shkencore dhe me botimin e punimeve shkencore dhe profesionale në publikime të njohura, institucioni kontribuon në mënyrë aktive në zhvillimin e veprimtarisë, kërkimin shkencor, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe afirmimin e trashëgimisë kulturore të Republikës së Maqedonisë së Veriut në kontekstin më të gjerë akademik dhe profesional.
Përgatiti:
dr. Jehona Spahiu Jançevska.





