Në mënyrë dinjitoze drejt 150-vjetorit të Kryengritjes së Razllovecit: vëzhgim mbi mbrojtjen e drejtpërdrejtë të Shtëpisë-Përkujtimore në Razllovec

Më 12 shkurt 2026, drejtori i Qendrës Kombëtare të Konservimit – Shkup, mr. Aleksandar Jordanoski, së bashku me ekspertë nga disa institucione dhe institute, realizoi një vizitë pune në Shtëpinë-Përkujtimore të Kryengritjes së Razllovecit në fshatin Razllovec, Komuna e Dellçevës. Vizita u realizua me qëllim të inspektimit të mbrojtjes së drejtpërdrejtë, përkatësisht ecurisë së ndërhyrjeve konservuese-restauruese në këtë objekt.

Në kuadër të vizitës, drejtori Jordanoski zhvilloi takim me z. Zlatko Naçovski, drejtor i Qendrës për Kulturë “Nikola Jonkov – Vapcarov” në Dellçevë, nën administrimin dhe përbërjen e së cilës është edhe Shtëpia-Përkujtimore e Kryengritjes së Razllovecit. Në takim u theksua rëndësia e veprimit të koordinuar institucional dhe qasjes së përgjegjshme në procesin e mbrojtjes dhe mirëmbajtjes së objektit si trashëgimi e rëndësishme memoriale dhe kulturore.

Realizimi i ndërhyrjeve konservuese-restauruese është i orientuar drejt shënimit dinjitoz të 150-vjetorit të Kryengritjes së Razllovecit (1876–2026), rezistencës së parë të organizuar kryengritëse për lirinë e popullit maqedonas nga Perandoria Osmane. Objekti u gjet në një gjendje jashtëzakonisht të rrënuar, gjë që imponoi nevojën për ndërhyrje urgjente dhe gjithëpërfshirëse. Për shkak të rëndësisë së tij historike, memoriale dhe arkitekturore, restaurimi i tij paraqet një projekt kapital të Qendrës Kombëtare të Konservimit, në kompetencën territoriale të së cilës ndodhet kjo pasuri kulturore.

Projekti është përfshirë si aktivitet programor me rëndësi të veçantë në Programin Vjetor për realizimin e interesit kombëtar në kulturë dhe mbështetet financiarisht nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit me rreth 20.000.000 denarë. Gjithashtu, paralelisht përmes Qendrës për Kulturë “Nikola Jonkov – Vapcarov” në Dellçevë, po punohet për zhvillimin dhe realizimin e një ekspozite të përhershme muzeale, për të cilën janë paraparë rreth 3.000.000 denarë. Punimet për restaurimin e Shtëpisë-Përkujtimore i realizon kompania IZGRADBA – KOMERC nga Shkupi, nën mbikëqyrje konservuese të Qendrës Nacionale të Konservimit.

Objekti është ndërtuar në vitin 1981 dhe përfaqëson një nga veprat më të rëndësishme të arkitektit të shquar maqedonas Georgi Konstantinovski. Për arritjen e tij të jashtëzakonshme arkitekturore, objekti është fitues i çmimit prestigjioz “Borba” për arkitekturë, duke konfirmuar vlerën e tij në kuadër të prodhimit bashkëkohor arkitektonik maqedonas dhe jugosllav. Me konceptin e tij të theksuar arkitekturor dhe simbolikën memoriale, Shtëpia-Përkujtimore përfaqëson një segment të rëndësishëm të trashëgimisë sonë bashkëkohore arkitekturore dhe kulturore.

Aktivitetet që po realizohen janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Qendrës Kombëtare të Konservimit – Shkup për mbrojtje profesionale, të përgjegjshme dhe afatgjate të trashëgimisë kulturore të paluajtshme, me qëllim ruajtjen dhe prezantimin e duhur të saj para publikut.

 

Përgatitën: mr. Aleksandar Jordanoski dhe dr. Jehona Spahiu Jançevska

Fotografitë: Jehona Spahiu Jançevska

Kanal 5 SHIKO

Expres.mk SHIKO

Razlovci_00_-5-of-10

Image 5 of 10

You may also like...