Vizitë e ish-konservuesit të pikturës murale, Slavço Sokolovski
Në Qendrën Kombëtare të Konservimit – Shkup, më 29 tetor 2025, ishte për vizitë ish-punonjësi, konservuesi i pikturës murale Slavço Sokolovski. Ai ka qenë pjesë e kolektivit të institucionit deri në vitin 2000, e më pas e ka vazhduar karrierën e tij profesionale në Boston, Massachusetts (SHBA), ku jeton dhe punon në mënyrë aktive në fushën e konservimit, restaurimit dhe artit bashkëkohor.
Slavço Sokolovski është konservues dhe artist bashkëkohor me përvojë ndërkombëtare shumëdekadëshe, i cili në biografinë e tij të pasur përfshin bashkëpunime me institucione prestigjioze si Museum of Fine Arts – Boston, Harvard University, MIT dhe National Park Service. Ai ka diplomuar në Fakultetin e Arteve Figurative në Shkup (1986) dhe është specializuar në York University, Mbretëria e Bashkuar (1996), në fushën e konservimit të ndërtesave historike. Ka punuar si konservues i lartë për pikturë murale në ish-Institutin Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës (sot Qendra Kombëtare e Konservimit – Shkup), ku ka marrë pjesë në një numër të madh ndërhyrjesh konservuese-restauruese në pikturë murale, ikona dhe mozaikë. Portofoli i tij profesional në SHBA përfshin projekte të shumta në kuadër të Harvard University, Massachusetts Institute of Technology, Boston Public Library, si dhe konservimin e veprave artistike, skulpturës publike dhe elementeve arkitektonike për koleksione publike dhe private.
Takimi u realizua me drejtorin e Qendrës Kombëtare të Konservimit – Shkup, mr. Aleksandar Jordanoski, në prani të mr. Cvetanka Haxhi Pecova, arkitekte, këshilltare për konservim dhe udhëheqëse e sektorit, si dhe dr. Jehona Spahiu Jançevska, historiane e artit, këshilltare për konservim.
Vizita e Sokolovskit përbën një moment të rëndësishëm për institucionin, duke pasur parasysh se ai në të kaluarën ka qenë pjesë e ekipeve që kanë punuar në disa nga ndërhyrjet më të rëndësishme dhe më komplekse konservuese-restauruese në vend dhe jashtë tij, ndërsa përvoja e tij shumëvjeçare ndërkombëtare përfaqëson një kontribut të çmuar për praktikat bashkëkohore të konservimit.
Në kuadër të takimit u diskutua për rëndësinë e vazhdimësisë dhe të transmetimit të dijes në veprimtarinë konservuese, si dhe për mundësitë e nxitjes, stimulimit dhe formimit të brezave të ardhshëm të konservuesëve përmes shembujve praktikë, mentorimit profesional dhe bashkëpunimit. Në këtë drejtim, u theksua edhe nevoja për mbështetjen e këtyre iniciativave përmes fondeve dhe fondacioneve që promovojnë zhvillimin, edukimin dhe shkëmbimin ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.
Përgatiti: dr. Jehona Spahiu Jançevska
Fotografi: Jana Abaxhieva Deçeva; arkiv privat





