Pjesëmarrje në Konferencë Ndërkombëtare në Tiranë, Republika e Shqipërisë

Në periudhën nga 21 deri më 22 tetor 2025, në Tiranë, Republika e Shqipërisë, u mbajt Konferenca Ndërkombëtare “60 years of study & conservation ARCHAEOLOGY – ARCHITECTURE – ART”, e organizuar me rastin e 60-vjetorit të themelimit të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore në Tiranë. Në konferencë morën pjesë studiues të shquar vendas dhe ndërkombëtarë nga fusha e arkitekturës, arkeologjisë, historisë, historisë së artit, restaurimit, muzeologjisë dhe arkivistikës.

Në konferencën ndërkombëtare morën pjesë dr. Jehona Spahiu Jançevska, historiane e artit, këshilltare për konservim – specialiste për trashëgiminë artistike të periudhës bizantine dhe postbizantine (shek. IX–XVIII) në Departamentin e Trashëgimisë Artistike, Sektori për Hulumtim dhe Projektim Konservues të Trashëgimisë Kulturore të Paluajtshme, si dhe mr. Nevenka Veliçkovska, piktore, këshilltare për konservim – specialiste për konservimin e ikonave në Atelienë e Ikonave, Sektori për Konservim dhe Restaurim në Qendrën Kombëtare të Konservimit – Shkup.

Spahiu Jançevska dhe Veliçkovska u prezantuan me kumtesën: “Safeguarding Sacred Art: Conservation and Restoration of the Processional Crosses from Bigorski Monastery”. Prezantimi i tyre iu kushtua konservimit dhe restaurimit të katër kryqeve procesionale nga Manastiri i Bigorskit Shën Gjon Pagëzori. Për dy nga këto kryqe është realizuar mbrojtje e drejtpërdrejtë nga ekipi profesional i QKK – Shkup gjatë vitit 2023, pas së cilës ato janë rikthyer në Manastirin e Bigorskit, ndërsa punimet konservatore-restauruese për dy kryqet e mbetura janë ende në proces.

Në kuadër të konferencës, dr. Jehona Spahiu Jançevska kishte gjithashtu rolin e moderatores së sesionit kushtuar restaurimit, me titull: “Preserving Sacred Heritage: Interpretation, Material Studies and Conservation of Byzantine and Post-Byzantine Art”. Njëkohësisht, Spahiu Jançevska është anëtare e Bordit Këshillues Shkencor të Konferencës Ndërkombëtare në Tiranë.

Në konferencë mori pjesë edhe drejtori i Qendrës Kombëtare të Konservimit – Shkup, mr. Aleksandar Jordanoski. Prania e drejtorit mundësoi komunikim të drejtpërdrejtë me drejtoreshën, arkitekte Joli Mitrojorgji, si dhe me specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore në Tiranë, që përbën një hap të rëndësishëm në vendosjen dhe avancimin e bashkëpunimeve të ardhshme ndërmjet dy vendeve dhe institucioneve homologe në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

Përgatiti: dr. Jehona Spahiu Jançevska

Fotografi: Aleksandar Jordanoski, Jehona Spahiu Jançevska, Anduela Aliko

Video: dr. Ivona Panxhak-Pineva

Tirana_005

Image 4 of 16

You may also like...