Pjesëmarrje në Tubim Shkencor Ndërkombëtar

Në periudhën nga 24–26 shtator 2025, në Prilep u mbajt Tubimi Shkencor Ndërkombëtar “Materializimi i mendimit: Konceptet ideologjike në trashëgiminë kulturore”.

Organizatorë të këtij aktiviteti të rëndësishëm shkencor ishin Instituti për Kulturë të Vjetër Sllave – Prilep dhe Komuna e Prilepit. Qëllimi kryesor i ngjarjes ishte të theksohen vlerat thelbësore të trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale, të rrënjosura në historinë dhe traditën kulturore.

Përmes kumtesave dhe diskutimeve u analizua ndikimi i besimeve fetare dhe paradigmave ideologjike në formësimin e modeleve kulturore — nga figurinat dhe altarët neolitikë, përmes gjetjeve të pasura arkeologjike dhe arkitekturës monumentale të periudhës helenistiko-romake, deri te bazilikat paleokristiane, kishat bizantine, xhamitë osmane dhe sinagogat hebraike, si dhe pasqyrimi i tyre në rituale, folklor dhe krijimtari gojore të bashkësive të ndryshme kulturore.

Në këtë tubim shkencor morën pjesë aktive tre përfaqësues nga Qendra Kombëtare e Konservimit.

Sesioni i parë, më 24 shtator, u hap nga drejtori i QKK – Shkup, mr. Aleksandar Jordanoski, me kumtesën e tij me temë: “Kujdesi sistematik për trashëgiminë kulturore si bazë e një kontinuiteti të qëndrueshëm identitar dhe fuqie ekonomike”. Drejtori Jordanoski pati edhe rolin e moderatorit në një nga sesionet.

Në ditën e dytë u prezantua mr. Darko Nikollovski, historian arti, këshilltar për konservim – punonjës profesional për trashëgiminë artistike të periudhës bizantine dhe postbizantine (shek. IX–XVIII) në Departamentin e Trashëgimisë Artistike, Sektori për Hulumtim dhe Projektim Konservues të Trashëgimisë Kulturore të Paluajtshme në QKK – Shkup. Tema e tij ishte: “Vështrim mbi ikonografinë në kishën e Shpërfytyrimit të Krishtit – Prilep”.

Po atë ditë kumtoi edhe dr. Jehona Spahiu Jançevska, historian e artit, këshilltare për  konservim – punonjëse profesionale për trashëgiminë artistike të periudhës bizantine dhe postbizantine (shek. IX–XVIII) në të njëjtin departament dhe sektor. Prezantimi i saj ishte me temë: “Image and Authority: The Visual Presence of St. Theodore the Studite in Macedonian Monumental Painting (12th–17th Century)”.

Pjesëmarrja e tre përfaqësuesve të Qendrës Kombëtare të Konservimit – Shkup në këtë tubim shkencor ndërkombëtar konfirmoi edhe një herë kompetencën e lartë profesionale, shkencore dhe ekspertizën e institucionit, rolin e tij aktiv në hulumtimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, si dhe kontributin e rëndësishëm në afirmimin dhe promovimin e saj në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Përgatiti: dr. Jehona Spahiu Jançevska

Foto: Jehona Spahiu Jançevska; Aleksandar Jordanoski; Instituti për Kulturë të Vjetër Sllave – Prilep

Prilep_001

Image 1 of 16

You may also like...