Nismë e përbashkët për avancimin e arsimit të lartë dhe të kuadrove profesionale në fushën e trashëgimisë kulturore

Më 20 gusht 2025, në ambientet e Qendrës Kombëtare të Konservimit – Shkup, drejtori mr. Aleksandar Jordanoski, së bashku me ekspertë të institucionit, zhvilloi një takim pune me drejtoreshën e Agjencisë për Cilësi në Arsimin e Lartë, doc. dr. Kristina Serafimovska dhe me kryetarin e Bordit për Akreditim të Arsimit të Lartë, prof. dr. Marjan Gjurovski.

 

Agjencia për Cilësi në Arsimin e Lartë është një organ kombëtar, misioni kryesor i të cilit është sigurimi, vlerësimi dhe përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë në arsimin e lartë përmes një sistemi akreditimi dhe vlerësimi të institucioneve dhe programeve studimore, duke kontribuar në zhvillimin e mjedisit akademik dhe krijimin e brezave me kuadro kompetente.

 

Në takim, përfaqësuesve të Agjencisë iu prezantua veprimtaria specifike dhe puna e QKK – Shkup, organizimi i saj, sektorët dhe departamentet, si dhe hapësirat e punës, veçanërisht atelietë për pikturë murale dhe mozaik, për ikona, për plastikë druri dhe guri dhe për pikturë në kavalet, pastaj Qendra Informative-Dokumentuese (INDOK), Laboratori fiziko-kimik dhe biblioteka e specializuar.

 

Gjatë diskutimit u hap tema për mungesën e kuadrit profesional, interesin e ulët të studentëve dhe sfidat me të cilat përballet institucioni në proceset komplekse të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Theks i veçantë iu vu nevojës për përshtatjen dhe zgjerimin e programeve mësimore të fakulteteve dhe instituteve relevante, si Instituti i Historisë së Artit dhe Arkeologjisë, Fakulteti i Arteve të Bukura, Fakulteti i Arkitekturës dhe Fakulteti i Ndërtimtarisë, nga ku duhet të dalin breza të rinj studentësh dhe punonjës të ardhshëm.

 

U theksua gjithashtu rëndësia e futjes së lëndëve dhe disiplinave të reja, si: trashëgimia ndërtimore dhe artistike osmane, konservimi dhe restaurimi i trashëgimisë së luajtshme dhe të paluajtshme kulturore, menaxhimi i trashëgimisë kulturore dhe fusha të ngjashme, të cilat do të mundësojnë një qasje më gjithëpërfshirëse në përgatitjen e specialistëve të ardhshëm.

 

Vëmendje e veçantë iu kushtua rëndësisë së praktikës dhe programeve të vullnetarizmit si një segment kyç për fitimin e njohurive, aftësive dhe përvojës konkrete dhe të zbatueshme. Gjatë bisedës u shqyrtuan edhe mundësitë për bursa dhe stimulim të studentëve që do të orientohen drejt këtyre fushave të specializuara.

 

Në përfundim, u konstatua nevoja për vendosjen e një komunikimi më të thelluar, si dhe bashkëpunim dhe koordinim sistematik me fakultetet dhe institutet përmes takimeve të rregullta, punëtorive dhe konsultimeve, me qëllim gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta për avancimin e arsimit të lartë dhe sigurimin e kuadrit të kualifikuar në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Qendra Kombëtare e Konservimit – Shkup dhe Agjencia për Cilësi në Arsimin e Lartë ranë dakord se vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta, vizionit dhe një strategjie afatgjatë mund të ndërtohen gjenerata specialistësh, të cilët do të jenë bartës të ardhshëm të zhvillimit dhe mbrojtjes së trashëgimisë sonë të jashtëzakonshme dhe të larmishme kulturore.

 

Përgatiti:

  1. Jehona Spahiu Jançevska, historiane e artit, këshilltare për konservim

0003_03

Image 3 of 5

You may also like...