Njoftim për ecurinë e trajnimit për konservimin e gurit të fasadës

Nën organizimin dhe koordinimin e Qendrës Kombëtare të Konservimit – Shkup, po realizohet trajnimi për konservimin e gurit të fasadës së pasurisë së mbrojtur kulturore – kisha Shën Gjergji në Nagoriçan të Vjetër. Në trajnim janë përfshirë këta pjesëmarrës: mr. Cvetanka Haxhi Pecova, arkitekte e diplomuar, këshilltare për konservim; dr. Jehona Spahiu Jançevska, historiane arti, këshilltare për konservim; Mariana Filova, konservuese e lartë për gur – Institucioni Kombëtar për menaxhimin e lokalitetit arkeologjik Stobi; Goran Ivanovski, konservues i lartë për gur – Muzeu i RMV; Dragan Vergovski, këshilltar për konservim të mozaikut, bashkëpunëtor i jashtëm; si dhe nga ekipi i QKK – Shkup: dr. Mishko Tutkovski, historian arti, dokumentues i lartë; Mirjana Topuzoska, arkitekte e diplomuar, konservuese e lartë; mr. Luiza Nevzati, arkitekte e diplomuar, konservuese e lartë; Tanja Mishkovska, arkitekte e diplomuar, konservuese e lartë; Igor Kuzmanovski, arkitekt i diplomuar, konservues; Orhan Osmani, konservues për mozaik; Viktor I. Ivanov, fotograf. Për mbështetje teknike dhe logjistike janë angazhuar Ljupço Tanurovski dhe Nikola Angelovski.

Gjatë javës së parë të trajnimit, në përputhje me programin për konservimin e gurit të përgatitur nga udhëheqësi i trajnimit, z. Simon Varak, aktivitetet ditore përfshinë sesione të kombinuara me pjesë teorike/ligjërata dhe punë në terren.

a) Në pjesën teorike, pjesëmarrësit patën mundësi të njihen me gjenezën e gurit si një nga materialet më të përdorura në ndërtimet historike, llojet e muraturave, patologjinë e gurit dhe shkaqet e degradimit të tij, përdorimin e gëlqeres në llaçe dhe recetat për llaçet me gëlqere, si dhe llojet e fugave dhe mënyrën e realizimit të tyre. Ligjëratat u shoqëruan me prezantime përkatëse në PowerPoint.

b) Puna në terren u realizua në oborrin e kishës “Shën Gjergji” dhe përfshiu vëzhgimin vizual të gjendjes ekzistuese të fasadave, identifikimin e llojeve të ndryshme të gurit të përdorur dhe klasifikimin e tyre, identifikimin e dëmtimeve (strukturore, sipërfaqësore, biologjike), përcaktimin e shkallës së degradimit, shtresëzimit dhe shkëputjes së sipërfaqes së gurit, dokumentimin dhe hartëzimin e tyre në dokumentacionin arkitektonik, si dhe përcaktimin e blloqeve të gurit me rrezik të lartë për dëmtim që kërkojnë trajtim urgjent konservues. Gjithashtu u demonstrua mënyra tradicionale e shuarjes së gëlqeres (CaO) në oborrin e kishës, e cila do të përdoret gjatë trajtimit konservues. U kryen edhe prova për përdorimin e lidhësve dhe mbushësve të ndryshëm me rërë lokale lumore me granulometri të ndryshme (nga lumi Pçinja), ku u përgatitën dhjetë mostra llaçi. Konservatorët eksperimentuan me raporte, tekstura dhe ngjyra të ndryshme, me qëllim përcaktimin e përbërjes më të përshtatshme të llaçit për tipin e gurit të fasadës së kishës.

Trajnimi praktik në javën e dytë do të përfshijë përcaktimin e metodave dhe materialeve më të përshtatshme konservuese, trajtime biologjike të bimëve më të mëdha dhe mikroorganizmave, përdorimin e llaçeve dhe metodave të fugimit, trajtimin e gurit të dëmtuar me etil silikat, mbushjen dhe fugimin me lidhës inorganikë, si dhe përdorimin e materialeve hidrofobe. Gjithashtu do të propozohen masa për mbrojtjen e sipërfaqes së gurit nga dëmtime të mëtejshme dhe trajtimin e duhur konservues in situ.

Qendra Kombëtare e Konservimit – Shkup shpreh mirënjohje ndaj Komunës së Nagoriçanit të Vjetër për mbështetjen dhe kontributin në realizimin e pandërprerë të trajnimit, përmes vënies në dispozicion të hapësirave në shkollë për akomodimin e një pjese të pjesëmarrësve dhe për zhvillimin e pjesës teorike të programit.

004_2025-07-30-14.34.01

Image 3 of 22

You may also like...