Ndryshim në pozitën e drejtorit në Qendrën Kombëtare të Konservimit

Më 22.07.2025, në Qendrën Kombëtare të Konservimit – Shkup u realizua dorëzim-pranimi i detyrës së drejtorit nga mr. Cvetanka Haxhi Pecova, ushtruese aktuale e detyrës së drejtoreshës së institucionit, e cila në këtë pozitë erdhi si udhëheqëse shumëvjeçare e Sektorit për hulumtim dhe projektim konservues të trashëgimisë kulturore të paluajtshme. Haxhi Pecova është një arkitekte e njohur maqedonase –këshilltare për konservim, e cila gjithë karrierën e saj profesionale e ka kaluar në këtë institucion amë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të paluajtshme. Karriera e saj shënohet nga rindërtimi i plotë i kishës së rrënuar “Shën Athanasi” në vitin 2001, në kuadër të Manastirit të Leshkës. Ky projekt u realizua me ndihmën e Agjencisë Evropiane për Rindërtim në periudhën 2003–2006. Në portofolin e saj përfshihen edhe projekte që ajo ka udhëhequr, ndër të cilat: konservimi dhe revitalizimi i kompleksit kulturor-turistik “Shën Gjergji” –Nagoriçan i Vjetër, “Shën Nikolla” në Psaçë, “Shën Mëria” në Drenovë dhe shumë të tjera. Ajo ka dhënë gjithashtu kontribut të rëndësishëm në hartimin e dokumenteve strategjike, si Strategjia Kombëtare për Trashëgiminë Kulturore, Ligji për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Plani Hapësinor i RMV-së etj. Për një mandat ka qenë edhe pjesë e Këshillit Kombëtar për Trashëgiminë Kulturore.

Pozitën e drejtorit e merr mr. Aleksandar Jordanoski, i cili vjen nga pozita e ndihmësdrejtuesit të Sektorit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit. Jordanoski karrierën e tij e fillon pikërisht në këtë institucion në vitin 2002, kur ai mbante emrin Enti Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, ndërsa në vitin 2005 kalon në Drejtorinë e sapoformuar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, ku qëndron deri në vitin 2012. Më pas transferohet në Ministrinë e atëhershme të Kulturës si udhëheqës i Departamentit për veprimtari muzeore dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore jomateriale. Ai është autor i tre librave, i shumë punimeve në periodikë profesionalë vendas, por edhe në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë, si dhe paraqitet si kolumnist në shtypin ditor – të gjitha këto në fushën e mbrojtjes dhe përdorimit të trashëgimisë kulturore. Brenda Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit ka qenë i përfshirë në pothuajse të gjitha trupat dhe grupet punuese që lidhen me këtë fushë, si dhe në hartimin e Strategjisë Kombëtare për Trashëgiminë Kulturore, Ligjit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Ligjit për Muzetë, akteve nënligjore dhe dokumenteve të tjera analitike. Për kontributin e tij shoqëror në fushën e trashëgimisë kulturore, në vitin 2025 është zgjedhur docent nderi në Universitetin Ndërkombëtar Europa Prima. Besimin për mandatin e tij e merr nga Zoran Ljutkov, ministër i Kulturës dhe Turizmit.

Qendra Kombëtare e Konservimit – Shkup

2025-07-22_Primopredavanje-direktor-5

Image 2 of 5

You may also like...