TRAJNIM PËR KONSERVIMIN E GURIT NË KOMPLEKSIN KISHTAR SHËN GJERGJI NË NAGORIÇAN TË VJETËR
Qendra Kombëtare e Konservimit – Shkup, në periudhën nga 29 korriku deri më 12 gusht 2025, organizon një trajnim të specializuar për konservimin e gurit, i cili po mbahet në pasurinë e mbrojtur kulturore – Kompleksi kishtar Shën Gjergji në Nagoriçan të Vjetër. Ky trajnim realizohet nën drejtimin e z. Simon Varak nga Republika e Italisë, ekspert i njohur ndërkombëtar për konservimin e gurit, me përvojë shumëvjeçare praktike në trajtimin in situ të sipërfaqeve të gurit të shtresëzuara, përkatësisht të dëmtuara.
Në këtë trajnim të specializuar do të marrin pjesë 10 profesionistë – konservatorë nga Qendra Kombëtare e Konservimit, konservatorë të gurit nga Institucioni Kombëtar për Menaxhimin e Lokalitetit Arkeologjik Stobi, si dhe nga Muzeu i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Me rastin e fillimit të trajnimit, drejtori i Qendrës Kombëtare të Konservimit, mr. Aleksandar Jordanoski, e priti ekspertin e huaj z. Simon Varak. Në takimin e përbashkët, drejtori u njoh me elementet përmbajtësore dhe sesionet e punës të përcaktuara në programin për konservimin e gurit, i cili përfshin pjesë teorike dhe punë praktike në terren. Në pjesën praktike të trajnimit do të përfshihen konkretisht ndërhyrje mbrojtëse për trajtimin konservues të gurit të dëmtuar të fasadës së kishës Shën Gjergji.
Drejtori Jordanoski theksoi se ky trajnim i specializuar do të përfaqësojë një mundësi të rëndësishme për avancimin e kuadrove profesionale që punojnë në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore arkitekturore. Nëpërmjet tij, pjesëmarrësit do të fitojnë njohuri dhe përvojë të re në aspektin e përdorimit dhe aplikimit të duhur të materialeve në aktivitetet konservuese të këtij lloji. Shkëmbimi i drejtpërdrejtë i përvojave dhe zbatimi praktik i teknikave dhe materialeve bashkëkohore do të mundësojnë përmirësimin e qasjes ndaj konservimit të gurit në vendin tonë.
Njohuritë profesionale dhe përvoja praktike e fituar do të kenë rëndësi kyçe jo vetëm për konservimin dhe mirëmbajtjen e mëtejshme të gurit të fasadës së kishës Shën Gjergji, por edhe për ndërhyrjet e ardhshme konservuese në objekte të tjera të rëndësishme prej guri në gjithë Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Së shpejti do të publikohet një njoftim shtesë për ecurinë e trajnimit.





